ShKÇAK organizoi seminarin me temë "Profesionistët e së Ardhmes"

2019-09-13 - 02:24

Sot, 13 shtator, 2019, u mbajt seminari me temë “Profesionistët e së ardhmes” i organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).

Seminari u hap nga Znj. Ardiana Bunjaku – Drejtoreshë Ekzekutive në ShKÇAK si dhe Znj. Afërdita Gashi- Kryetare e Këshillit të ShKÇAK, të cilat ju uruan mirëseardhje të ftuarve.

Gjatë këtij seminari fjalë hyrëse mbajtën Z. Fehmi Mehmeti – Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Fatmir Gashi – Zv. Ministër i Financave të Republikës së Kosovës dhe Z. Sotiraq Dhamo – Kryetar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar në Shqipëri.

Seminari vazhdoi me një panel diskutimi të moderuar nga Znj. Edona Perjuci-Uka – Udhëheqëse e Departamentit të Edukimit dhe Standardeve Profesionale në ShKÇAK me temën: “Roli i Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar për integrim ekonomik dhe financiar – kërkesat dhe sfidat e implementimit”, ku panelist ishin Z. Fatmir Gashi – Zv. Ministër i Financave të Republikës së Kosovës, Z. Afrim Maloku – Kryetar i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, Z. Sotiraq Dhamo – Kryetar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar në Shqipëri, Z. Xhevdet Beqiri – Anëtarë i Këshillit në ShKÇAK, Z. Alban Lufi – Këshilltar i lartë i guvernatorit në BQK, Z. Lekë Musa – Ekspert i Fushës, Z. Berat Rukiqi – Drejtor i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Z. Arian Zeka – Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane.

Paneli dhe audienca diskutuan mbi temat të cilat kanë të bëjnë me sfidat e përballura në zbatimin e kërkesave për raportim financiar dhe auditim efektiv, si bazë për krijimin e një mjedisi për tërheqjen dhe ruajtjen e investimeve të huaja dhe vendore.

Po ashtu, paneli shqyrtoi tema në lidhje me ngritjen e besimit dhe llogaridhënies në menaxhim, raportimin financiar dhe auditim.

Ky seminar po ashtu ofroi mundësinë e ndarjes së eksperiencave të panelistëve si udhëheqës apo pjesëtar të institucioneve, bordeve, apo edhe komisioneve të pavarura që kanë rol kyç në zhvillimin dhe ngritjen e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit, duke ndikuar kështu në mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e kapaciteteve të duhura për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Në seminar po ashtu Znj. Melita Ymeraga – Partnere në Melita & Partners prezantoi mbi “Ndërrimin e praktikave për digjitalizimin e kontabilitetit” si dhe Z. Robert Shala - Drejtor Ekzekutiv në Sentry Cybersecurity prezantoi mbi “Digjitalizimin dhe Sigurinë Kibernetike”.