Rëndësia e SNRF 16 - Lizingu dhe SNRF 17 - Kontratat e Sigurimeve

2019-09-06 - 11:32

SNRF 16 dhe SNRF 17 janë dy standardet e fundit dhe më të rejat të publikuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit.

SNRF 16

Standardi i ri SNRF 16 -Lizingu do t'iu kërkojë kompanive që të paraqesin shumën e lizingut në pasqyrën e pozicionit financiar nga viti 2019.

Sipas standardit të ri, kompanitë do të njohin pasuritë dhe detyrimet e reja, duke sjellë transparencë të shtuar në pasqyrën e pozicionit financiar. Aktualisht, shumë analistë rregullojnë pasqyrat financiare për të pasqyruar transaksionet e lizingut që kompanitë mbajnë në pasqyrën e pozicionit financiar.

Për herë të parë, analistët do të jenë në gjendje të shohin vetë vlerësimin e një kompanie mbi detyrimet e saj të lizingut, të llogaritura sipas një metodologjie të përcaktuar që të gjitha kompanitë që raportojnë nën SNRF do t’iu kërkohet t’i ndjekin.

Të rejat në SNRF 16

Në nivelin më të thjeshtë, trajtimi në kontabilitet i lizingut nga qiramarrësit do të ndryshojë rrënjësisht. SNRF 16 eliminon modelin aktual të kontabilitetit të dyfishtë për qiramarrësit, i cili bën dallimin midis lizingut financiar në bilanc dhe lizingut operativ në pasqyrën e të ardhurave. Përkundrazi, ekziston një model i vetëm i cili është i ngjashëm me kontabilitetin aktual të lizingut financiar.

Kontabiliteti i qiradhënësit mbetet i ngjashëm me praktikën e tanishme - d.m.th. qiradhënësit vazhdojnë të klasifikojnë lizingun si financiar dhe operativ.

Ndikimet

Për qiramarrësit, lizingu bëhet një detyrim mbi pasqyrën e pozicionit të detyrimeve që tërheq interesin, së bashku me një pasuri të re në anën tjetër të bilancit. Me fjalë të tjera, qiramarrësit do të bëhen më të pasur me asete, por edhe me borxhe më të mëdha.

Ndikimet nuk janë të kufizuara në bilanc. Ekzistojnë gjithashtu ndryshime në kontabilitet gjatë jetës së lizingut. Në veçanti, kompanitë tani do të njohin një model të shpenzimeve të ngarkuara me para për shumicën e lizingjeve, edhe kur ata paguajnë qira vjetore të vazhdueshme.

Të gjitha kompanitë do të duhet të vlerësojnë shtrirjen e ndikimeve të standardit në mënyrë që ata të adresojnë implikimet më të gjera të biznesit - dhe të presin që analistët të interesohen nga afër. Fushat e fokusit mund të përfshijnë:

  • efektin e standardit në rezultatet financiare;
  • kostot e implementimit; dhe
  • çdo ndryshim i propozuar në praktikat e biznesit.

Data efektive dhe hapat e ardhshëm

Standardi i ri ka hyrë në fuqi në Janar 2019. Para kësaj, kompanitë do të duhet të analizojnë lizingjet e tyre dhe të bëjnë vlerësimet dhe kalkulimet e reja që do të duhet të azhurnohen në mënyrë periodike. Nëse nuk e keni bërë këtë tashmë, duhet të filloni tani.

SNRF 17

Standardi i ri i kontratave të sigurimit - SNRF 17 - sjell ndryshime thelbësore në kontabilitetin e sigurimeve.

SNRF 17 do t'u japë përdoruesve të pasqyrave financiare një perspektivë krejt të re. Mënyrat në të cilat analistët interpretojnë dhe krahasojnë kompanitë ndërkombëtarisht do të ndryshojnë.

Standardi i ri sjell përfitime dhe sfida për siguruesit, të cilët do të duhet të kuptojnë ndryshimet e kontabilitetit dhe ndikimet në bizneset e tyre.

Të rejat në SNRF 17

SNRF 17 ofron tri modele kryesore për t’u aplikuar për të gjitha kontratat e sigurimit: modeli i përgjithshëm, qasja e shpërndarjes së primit dhe qasja e tarifës së ndryshueshme.

Sa i përket grupimit të kontratave, kompanitë e sigurimeve do të vazhdojnë të caktojnë kontratat tek portofolet me rreziqe të ngjashme dhe që menaxhohen së bashku, të tilla si sigurimi i plotë i jetës ose sigurimi i plotë i makinës. Secili portofol duhet të ndahet në grupe të kontratave të lëshuara në të njëjtën periudhë 12-mujore, si më poshtë:

  • Kontratat që në fillim kanë mundësi të madhe të ndodhjes së dëmit: do të kërkojë që të njihet një humbje e menjëhershme në fitim ose humbje
  • Kontratat që në fillim nuk kanë ndonjë mundësi të madhe të ndodhjes së dëmit: do të kërkojë që çdo fitim i parealizuar të njihet si një detyrim dhe të lirohet pasi ofrohet sigurimi
  • Kontratat e tjera fitimprurëse: do të kërkojë regjistrimin në të njëjtën mënyrë si kontratat që konsiderohen se nuk kanë mundësi të konsiderueshme për të pasur rrjedha të ardhshme të parasë.

Për sa i përket normave të skontimit, kontratat e sigurimit do të maten me vlerën aktuale, duke përdorur norma skontimi që pasqyrojnë karakteristikat e rrjedhjeve të parasë të sigurimit. Përdorimi i normave aktuale të interesit do të jetë një ndryshim për kompanitë që aktualisht përdorin kthimin e pritur të pasurive të mbajtura si norma të skontimit.

Meqenëse normat e skontimit të përdorura azhurnohen rregullisht për të treguar normat aktuale të interesit, çdo ndryshim në detyrimin që rrjedh nga një ndryshim në normën e skontimit të përdorur duhet të shfaqen në pasqyrën të ardhurat e tjera gjithëpërfshirëse, në vend se të pasqyrohen tek pasqyra e hyrave dhe shpenzimeve (sipas termit të vjetër në SNK1 Pasqyra e të ardhurave).

Çdo rritje e detyrimit që rrjedh nga vlera e kohës së parasë bazuar në normat e skontimit të përdorura do të shfaqet ende në pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve, duke ndjekur parimin e "heqjes së diskontit" që mbizotëron në shumë SNRF ekzistuese.

Ndikimet

Ndikimi i standardit të ri do të ndryshojë ndjeshëm midis kompanive të sigurimeve. Zbatimi i tij do të kërkojë përpjekje të konsiderueshme,  sisteme, procese dhe kontrolle të reja ose të azhurnuara.

Detyrimi do të jetë edhe më sfidues duke pasur parasysh horizontin e gjatë kohor mbi të cilin operojnë shumë kompani të sigurimeve dhe sistemet ekzistuese të cilat akoma janë në përdorim.

Zbatimi i SNRF 17 ka të ngjarë të jetë kompleks, duke kërkuar kontributin e shumë specialistëve dhe shumë kompani do të duhet të bëjnë ndryshime të rëndësishme në politikat e tyre kontabël. Shpresa është se kjo përpjekje e parë e plotë në një standard ndërkombëtar për kontratat e sigurimit, do të ndihmojë në eliminimin e një numri të politikave të ndryshme kontabël në përdorim.

Ndërsa SNRF 17 paraqet ndryshimin më të madh të kontabilitetit për siguruesit në shumë vite, ndikimet do të ndjehen shumë përtej kontabilitetit, në fusha të tilla si financa, teknologji informative , madje edhe në departamentet ligjore.

Data efektive dhe hapat e ardhshëm

SNRF 17 është publikuar në vitin 2017 me datë efektive prej 1 janar 2021, por tani më BSNK/IASB ka ndërmarr hapa që të shtyjë aplikimin deri në vitin 2022.

Të interesuarit për pjesëmarrje në sesionin e EVP-së me temë: “SNRF 16 – Lizingu  dhe SNRF 17 – Kontratat e Sigurimeve" mund të konfirmojnë pjesëmarrjen deri më 11 shtator, 2019, për më shumë informata, klikoni KËTU.