Ndikimi i pandemisë COVID - 19 në ekonominë e Kosovës

2020-10-29 - 08:32

Publikuar nga: INSTITUTI GAP

Instituti GAP ka publikuar një raport gjithëpërfshirës për ndikimin e masave rreth Covid-19 në ekonominë e vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020. Në këtë raport paraqitet ecuria e komponentëve kryesor që përbëjnë BPV-në dhe indikatorët tjerë makroekonomik në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020 (janar-qershor) me qëllim që të pasqyrojë ndikimin e kësaj krize në gjithë sektorët ekonomik të vendit. Të gjeturat kryesore të këtij raporti janë: 

  • Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shpenzimet e brendshme pësuan ndryshime të mëdha. Konsumi shtëpiak u orientua kryesisht në produkte bazike, si ushqimi dhe shërbimet publike (ujë dhe energji elektrike), ndërkaq bizneset shpenzuan më shumë në digjitalizimin e shërbimeve për të operuar gjatë pandemisë.
  • Aktivitetet ekonomike që performuan më së miri janë: industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë të cilat në tremujorin e dytë u rritën për 19.8 përqind dhe informacioni dhe komunikimi për 29.6 përqind.
  • Ndërkohë, rënie të të hyrave patën të gjitha industritë e tjera. Ndër më të lartat ishin në industrinë e ndërtimit me -47.08 përqind, dhe tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4 përqind.
  • Gjatë gjatshtëmujorit të parë të këtij viti industritë deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11 përqind më pak qarkullim në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) se në periudhën e njëtë të vitit paraprak. 
  • Në anën tjetër për të lehtësuar barrën financiare, pas fillimit të masave kufizuese, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) bashkë me institucionet kredituese ofruan mundësinë e shtyrjes së afatit të pagesave të kësteve të kredisë për tre muaj, e më pas mundësinë e aplikimit për ristrukturim të tyre.
  • Qeveria e Kosovës aprovoi pakon e parë “emergjente fiskale” me vlerë prej 190 milionë euro dhe propozoi riorientimin e disa shpenzime buxhetore nga kategoria e shpenzimeve kapitale në kategorinë e pagave, transfereve dhe subvencioneve. Megjithatë, kjo pako nuk arriti të implementohej në tërësi në tremujorin dytë dhe si rezultat shumë qytetarë dhe biznese nuk morën ndihmën në kohën e duhur.
  • Shpenzimet publike më 2020 u rritën për 18.8 milionë euro ose rreth 2 përqind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2019. Ndërkaq të hyrat buxhetore shënuan rënie në gjitha kategoritë. Reduktimi i të hyrave buxhetore ndërlidhet me performancën e dobët të sektorit privat dhe rënien e kërkesës agregate.
  • Kjo periudhë kohore u shoqërua me rënie të kredive të reja dhe ngritje të depozitave bankare, ku depozitat arritën vlerën rekorde prej afër 4 miliardë euro. Këto dy dukuri pasqyrojnë rënien e kërkesës së përgjithshme në gjashtëmujorin e parë.
  • Aspektet tjera që zvogëluan ekonominë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ishin rënia e eksporteve të shërbimeve, veçanërisht atyre të transportit, që ndërlidhet me kufizimin e qarkullimit ndërkufitar dhe mos-ardhjes së diasporës. 

 

Për të qasur raportin e plotë, klikoni KËTU