Raportimi dhe rreziku i mashtrimit që dalin nga Covid-19 paraqesin sfida të rëndësishme për Kontabilistët dhe Auditorët

2020-05-31 - 02:00

Publikuar nga: IFAC

Në përgjithësi në të gjithë globin kriza e COVID-19 po shkakton implikime të mëdha financiare për shumë organizata, si dhe ekspozimin e tyre ndaj një sërë rreziqesh të tjera në rritje që kanë të bëjnë me operimet virtuale, sigurinë në internet dhe ndryshimet në marrëdhëniet me klientët dhe furnitorët që shkaktojnë presion në operimet dhe ofrimin e shërbimeve. Ky mjedis i ri krijon një rrezik të lartë për mashtrim dhe raportimi jo të duhur financiar, pasi mund të shfaqen mundësi dhe presione të reja si për punonjësit e brendshëm ashtu edhe për palët e jashtme.

Si reagim ndaj krizës aktuale, shumë organizatave i’u është dashur të ndryshojnë shpejt praktikat e punës dhe protokollet për të mundësuar punën nga distanca, e cila paraqet një rrezik të shtuar të mashtrimit nëse kontrollet e brendshme mund të anashkalohen si rezultat. Nxitjet për të kryer mashtrim gjithashtu mund të rriten tek organizatat dhe individët që përballen me sfida të papara ekonomike. Në periudha të dëshpërimit, individët nën presione të mëdha që kanë të bëjnë me punën ose jetën personale mund të shfaqin dhe racionalizojnë sjellje jo të zakonshme, siç janë shtuarja e marrjes së rrezikut dhe vendimmarrja joetike. Ata gjithashtu mund të paraqesin me dashje një pamje më premtuese të realitetit aktual përmes pasqyrave financiare dhe manipulimit të dhënies së informacioneve shpjeguese.

Gjatë krizës aktuale dhe pasojave të saj, obligimi ndaj interesit publik dhe gjykimi profesional i kontabilistëve dhe auditorëve do të jenë nën një kontroll më të madh. Kjo do të ndodhë veçanërisht për ata që janë drejtorë të bordit ose në role menaxheriale duke pasur parasysh se ata kanë përgjegjësinë përfundimtare për parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit në një organizatë.

Por në javët, muajt dhe vitet e ardhshme, do të jenë kritike edhe për kontabilistët apo auditorët e tjerë profesionistë që punojnë në fusha që përfshijnë funksionet financare, auditimin e brendshëm dhe auditimin e jashtëm, ata duhet të jenë më të vëmendshëm se kurrë ndaj rrezikut të mashtrimit dhe manipulimit në çështjet e kontabilitetit dhe raportimit. Informacioni nuk mund të merret si i mirëqenë pa një nivel të duhur të sfidimit.

Për auditorët e jashtëm, shpesh ekziston një hendek i pritshmërisë në mes të asaj që publiku i gjerë pret prej tyre në zbulimin dhe raportimin e mashtrimeve, dhe përgjegjësitë e tyre aktuale sipas standardeve. Sipas SNA 240, Përgjegjësitë e Auditorit lidhur me mashtrimin në një Auditim të Pasqyrave Financiare, auditorët janë përgjegjës për ofrimin e një sigurie të arsyeshme që pasqyrat financiare të marra në tërësi nuk përmbajnë anomali materiale, të shkaktuar qoftë nga mashtrimi ose gabimi. Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS/IAASB) thekson në paralajmërimet e tyre të stafit të COVID-19, nevojën që auditorët të ngritin vetëdijen për mundësinë e mashtrimit ose gabimit, dhe të kenë në mendje rëndësinë e ushtrimit të skepticizmit profesional, kur kryejnë procedurat e auditimit.

Kontabilistët dhe auditorët do të duhet të jenë vigjilent ndaj presionit të ushtruar mbi ta ose nga ta mbi të tjerët. Kodi Ndërkombëtar i Etikës i Bordit Ndërkombëtar të Standardeve të Etikës për Kontabilistët dhe Auditorët Profesionistë (BNSEK/IESBA), përfshirë Standardet Ndërkombëtare mbi Pavarësinë (Kodi i Etikës), i cili përcakton standardin e sjelljes që pritet nga një kontabilist dhe auditor profesionist, adreson në mënyrë specifike presionin ndaj kontabilistëve dhe auditorëve që mund të qojnë në shkelje të pesë parimeve themelore të Kodit të Etikës (integriteti, objektiviteti, kompetenca profesionale dhe kujdesi i duhur, konfidencialiteti dhe sjellja profesionale). Stafi i BNSEK/IESBA po zhvillon gjithashtu një dokument për publikim për të nxjerrë në pah aspektet e Kodit të Etikës që mund të jenë të rëndësishme për kontabilistët dhe auditorët për gjatë tejkalimit të krizës aktuale, dhe të identifikojnë presionet e mundshme të lidhura me COVID-19.

Rregullatorët dhe organet mbikëqyrëse gjithashtu janë duke ju ri-kujtuar kompanive që të ushtrojnë gjykimin e tyre profesional dhe t'i kushtojnë vëmendje standardeve të kontabilitetit dhe auditimit, implikimeve të raportimit financiar të COVID-19 dhe rreziqeve të shfaqura. Për shembull, Komisioni i Tregtimit të Instrumenteve Financiare dhe Bordi i Mbikëqyrjes së Kontabilitetit të Ndërmarrjeve Publike në SH.B.A. publikuan një deklaratë duke theksuar rreziqet dhe ekspozimin e kompanive të bazuara, ose me operime të rëndësishme, në tregjet në zhvillim ku mund të ketë një rrezik më të madh që dhënia e informacioneve shpjeguese të jetë e paplotë ose mashtruese.

Konsideratat kyçe në lidhje me rrezikun e raportimit dhe mashtrimit për kontabilistët dhe auditorët profesionistë:

Tonaliteti i udhëheqësisë së organizatave duhet të jetë i qartë

Si në kohërat më të mira, ajo që thuhet dhe veprohet në krye të organizatës vendos tonalitetin e sjelljes në të gjithë organizatën. Punonjësit janë linja e parë e mbrojtjes. Bordet dhe menaxhmenti duhet të dërgojnë një mesazh të qartë për punonjësit se organizata do të gjykohet se si është duke u ballafaquar me krizën aktuale, dhe për këtë arsye vlerat dhe etika e saj janë parësore.

Kjo shprehet në çështjet e tyre të  raportimit dhe kontabilitetit, si dhe në shqetësimin e tyre për interesat e aketrëve relevant dhe se si perceptohet reputacioni i tyre.

Një program efektiv i etikës dhe pajtueshmërisë mbështetet nga një kulturë pozitive, vlera të fuqishme dhe transparencë.

Në një blog të fundit në COVID-19, Shoqata Kombëtare e Drejtorëve të Korporatave (NACD) thekson se ndërsa bordet janë përgjegjës në përgjithësi për mbikëqyrjen e tonalitetit, komitetet e auditimit gjithashtu luajnë një rol kyç:

"Sfida e tyre është të dallojnë nëse tonaliteti që menaxhmenti i komunikon komitetit është me të vërtetë tonaliteti që depërton në të gjithë kompaninë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që puna po zhvillohet në mënyrë virtuale — punonjësit mund të ndjehen të izoluar dhe të shkëputur, dhe mesazhet mund të keqkuptohen. Reagimi nga sondazhet e kaluara mbi ndikimet sentimentale të punonjësve nuk ka të ngjarë të jetë tregues i mjedisit aktual. "

Qendra për Cilësinë e Auditimit (CAQ) gjithashtu thekson rëndësinë e kulturës së korporatave në ballafaqimin dhe daljen nga një krizë.

Mbajtja e një mjedisi të efektshëm kontrolli

Ndryshimet në praktikat e punës dhe puna në distancë mund të ndikojnë në kontrollet e brendshme që janë themelet për besueshmërinë e procesit të raportimit financiar dhe kredibilitetin e raportimit dhe shpalosjeve. Implikimet e kontrollit dhe sfidat e çdo ndryshimi do të ndryshojnë nga organizimi dhe mund të varen në një farë mase nëse kontrollet para krizës ishin kryesisht manuale ose të automatizuara.

Bordet dhe komitetet e tyre të auditimit, dhe menaxhmenti duhet të vlerësojnë dhe të vazhdojnë të monitorojnë një mjedis kontrolli të ndryshuar, duke përfshirë kontrollet kryesore siç janë ndarja e detyrave ose qasja e sistemeve që mund të dobësohen në një mjedis virtual pune, ose për shkak të zhvendosjes së personelit dhe proceseve.

Deloitte ka identifikuar fushat e mëposhtme në kontrollin e brendshëm mbi raportimin financiar që mund të kenë nevojë për vëmendje shtesë:

  • Përcaktimi dhe vlerësimi i rrezikut mund të duhet të rishikohen për të verifikuar nëse ato janë duke iu përgjigjur në mënyrë të duhur ndryshimeve që kanë ndodhur në organizatë që nga përhapja e COVID-19
  • Dizajni i kontrolleve mund të ketë nevojë të rregullohet
  • Vlerësimi i operimit efektivitetit të kontrolleve mund të duhet të përfshijë një plan për rritjen e niveleve të testimit në distancë
  • Ndryshimet në personel dhe puna në distancë në biznes si rezultat i COVID-19 mund të rrisin deficitin e kontrollit
  • Planet e zakonshme të komunikimit me menaxhmentin e lartë dhe anëtarët e bordit mund të kenë nevojë të rishikohen, në mënyrë që atyre t'u jepen informacionet që u nevojiten në kohë.

Një rivlerësim i mashtrimit dhe rrezikut të raportimit i fokusuar në zonat materiale

Udhëzimi nga Deloitte, Fokusi i Forenzikës Financiare mbi Mashtrimin e Pasqyrave Financiare COVID-19 përshkruan shembuj të rreziqeve të mashtrimit të pasqyrave financiare që organizatat duhet të jenë të vetëdijshme, të tilla si mbivlerësimi i të ardhurave, nënvlerësimi i lejimeve dhe rezervave, manipulimi i vlerësimeve dhe dëmtimeve, kapitalizimi i shpenzimeve, dhe manipulimi i marzhës.

Në përgjigje të këtyre rreziqeve të mashtrimit të pasqyrave financiare, komiteti i auditimit, i cili shpesh ka deleguar përgjegjësi për mbikëqyrjen e procesit të raportimit financiar të një organizate, duhet të marrë parasysh një numër çështjesh kryesore, për shembull:

  • Natyrën e rregullimeve, përfshirë arsyen pse rregullimet mund të shihen si jo materiale
  • Anomalitë e pa korrigjuara, d.m.th., kanë hequr dorë nga rregullimet e kontabilitetit dhe auditimit.
  • Politikat, praktikat dhe vlerësimet e kontabilitetit dhe auditimit - a janë ato të justifikueshme? A ka pasur ndryshime në kohën e krizës, dhe nëse po, pse dhe a janë të justifikuara ndryshimet?
  • Përdorimi i performancës alternative (masat jo-SNRF ose jo-GAAP) siç është EBITDA dhe nëse kjo mund të ketë ndikim në mashtrim.
  • Nëse përparësitë e auditimit të brendshëm kanë qenë, apo duhet të ridrejtohen si reagim ndaj mashtrimit dhe rreziqeve të raportimit të lidhura me COVID-19 (Një sondazh nga Instituti i Auditorëve të Brendshëm (IIA) mbi ndikimin e COVID-19 në auditimin e brendshëm zbuloi se tre të katërtat e funksioneve të auditimit të brendshëm kanë azhurnuar planet e tyre të auditimit dhe mbi gjysma kanë azhurnuar vlerësimin e rreziku. 40% e të anketuarve gjithashtu raportuan rritjen e përpjekjeve në lidhje me mashtrimin).
  • Si të sigurohet qëndrueshmëria operacionale e sistemeve të organizatës, të cilat mund të bëhen më kritike se kurrë. Ndjekja e dyshimeve për mashtrim ose praktikat e papërshtatshme do të jenë shumë të rëndësishme, dhe përdorimi i tyre si mundësi mësimi për të përmirësuar proceset dhe procedurat.
  • Çdo fushë tjetër kryesore e rrezikut të mashtrimit, p.sh., mashtrimi përmes transfereve bankare.

Kur ka pikëpamje të ndryshme mes komitetit të auditimit dhe menaxhmentit, duhet të ketë dialog dhe sfidë të fuqishme për ndryshimet, për shembull besueshmëria e vlerësimeve dhe parashikimeve në lidhje me pikëpamjet e menaxhmentit.

Kontabilistët dhe auditorët profesionistë duhet të jenë aktivë, si dhe pragmatikë duke pasur parasysh sa shpejt ndryshojnë ngjarjet dhe pasiguritë që shfaqen. Do të jetë detyrë e të gjithë kontabilistëve dhe auditorëve për të siguruar që ata janë të paralajmëruar për mënyrën se si trajnimet dhe përgjegjësitë e tyre profesionale do të nevojiten përderisa kompanitë merren dhe dalin nga COVID-19.

Referencat kryesore të disponueshme në faqen e IFAC COVID-19

CAQ: Burimi COVID-19: Konsideratat kyçe të auditorit dhe komitetit të auditimit

CIPFA: COVID-19: Mbrojtja e zinxhirit të furnizimit të sektorit të qeverisjes lokale nga mashtrimet

Deloitte: COVID-19: Kontrolloni konsideratat e mjedisit

EY: Çfarë duhet të marrin në konsideratë komitetet e auditimit përballë pasigurisë

EY: COVID-19: Lista e kontrollit të qëndrueshmërisë së ndërmarrjes

FEI: Vijimësia: Konsideratat kyçe për Përgatitësit e Pasqyrave Financiare gjatë kësaj pandemie

Grant Thornton: Si të përcaktohet dhe reagohet ndaj rreziqeve të mashtrimit gjatë COVID-19

KPMG: COVID-19: mashtrimi i përsosur dhe stuhia e korrupsionit

OECD: Integriteti Publik për një reagim dhe rimëkëmbje efektive të COVID-19

 

"Raportimi dhe rreziku i mashtrimit që dalin nga COVID-19 paraqesin sfida të rëndësishme për kontabilistët dhe auditorët profesionistë" nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare i Auditimit dhe Sigurisë, publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe Auditorëve në Maj 2020 në gjuhën Angleze, është përkthyer në gjuhën shqipe nga SCAAK në Maj 2020, dhe është përdorur me leje të IFAC. Teksti i aprovuar i të gjitha publikimeve të IFAC është ai i publikuar nga IFAC në gjuhën angleze. IFAC nuk merr asnjë përgjegjësi për saktësinë dhe plotësinë e përkthimit ose për veprimet që mund të vijnë si rezultat i tij.

Teksti në gjuhën angleze "Raportimi dhe rreziku i mashtrimit që dalin nga COVID-19 paraqesin sfida të rëndësishme për kontabilistët dhe auditorët profesionistë " ©2020 nga IFAC. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Teksti në gjuhën shqipe " Raportimi dhe rreziku i mashtrimit që dalin nga COVID-19 paraqesin sfida të rëndësishme për kontabilistët dhe auditorët profesionistë " © 2020 nga IFAC. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Titulli origjinal: Reporting and Fraud Risk Arising from COVID-19 Pose Significant Challenges for Professional Accountants

Kontaktoni [email protected] për leje për të riprodhuar, ruajtur ose transmetuar ose për të bërë përdorime të tjera të ngjashme me këtë dokument.