COVID-19: planifikimi i rimëkëmbjes së biznesit për ndërmarrjet private

2020-04-26 - 05:29

Artikull i shkruar nga: Ryan Burke - Udhëheqës i rritjes së Tregjeve  Globale të EY

Ndërsa bizneset ballafaqohen me krizën e COVID-19, tani është koha për t'u përqendruar në pesë përparësi kryesore që mund të ndihmojnë në riformimin e rezultateve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e shpalli COVID-19 një gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik në shkallë ndërkombëtare. COVID-19 është kthyer në një tragjedi njerëzore, duke ndikuar qeveritë dhe bizneset me ndërprerje dhe rreziqe të pandodhura më parë. Është një krizë që ka implikime të thella për kompanitë në nivel global. Kompanitë po ndjejnë tronditjen e biznesit dhe financiare që vjen nga përhapja e COVID-19 që nga mbyllja e plotë ose e pjesshme e fabrikave, deri te  ndërprerja e zinxhirit të furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe stresi i rrjedhës së parave.

Në ballafaqimin me krizën e vazhdueshme COVID-19, ka një numër çështjesh kryesore që drejtuesit e biznesit duhet të mendojnë, si dhe hapat që ata mund të ndërmarrin për të riformuar biznesin e tyre dhe të planifikojnë rikthimin.

Pesë mënyra për të reaguar ndaj ndikimit të COVID-19

1. Prioritizoni sigurinë e individëve dhe angazhimin e vazhdueshëm

Mbrojtja e sigurisë dhe mirëqenies së punonjësve në vendin e punës është thelbësore. Njerëzit po drejtohen tek punëdhënësit, komuniteti dhe qeveria për udhëzime. Adresimi i shqetësimeve të tyre në mënyrë të hapur dhe transparente do të ndihmojë shumë për t'i angazhuar ato dhe për të siguruar vazhdimësinë e biznesit.

2. Strategjia e riformimit për vazhdimësinë e biznesit

Shumica e bizneseve ka të ngjarë të pësojnë një ndërprerje të konsiderueshme në operimet e zakonshme të biznesit të tyre dhe do të përballen me performancë të ulët gjatë gjithë kohëzgjatjes së krizës së COVID-19. Për të ndihmuar në adresimin e këtyre sfidave, kompanitë duhet të:

  • Vlerësonjnë likuiditetin afatshkurtër - Kompanitë duhet të krijojnë disiplinën e monitorimit të rrjedhës së parasë afatshkurtër që u lejon atyre të parashikojnë presionet e rrjedhës së parave dhe të ndërhyjnë në kohën e duhur. Ata gjithashtu do të duhet të mbajnë një disiplinë të rreptë mbi kapitalin e punës, veçanërisht rreth mbledhjes së llogarive të arkëtueshmeve dhe menaxhimin e grumbullimit të stokut. Për më tepër, është e rëndësishme të jesh kreativ dhe të ndërhysh në mënyrë proaktive për të lehtësuar ciklin e kapitalit të punës.
  • Vlerësoni rreziqet financiare dhe operacionale dhe reagoni shpejt - Kompanitë duhet të monitorojnë përshkallëzimet e kostove direkte dhe ndikimin e tyre në marzhat e përgjithshme të produktit, duke ndërhyrë dhe rinegociuar, atëherë kur është e nevojshme. Ata gjithashtu do të duhet të monitorojnë presionet që mund të ndikojnë tek klientët, furnitorët, kontraktuesit ose ortakët e tyre. Së fundi, duhet të jeni të informuar për shkeljet e marrëveshjeve me bankat dhe institucionet e tjera financiare lidhur me rreziqet e dëmtimit të vlerës së aseteve, të cilat mund të ndikojnë në paraqitjen e  pozitës së Pasqyrës Financiare.
  • Konsideroni modifikimet e borxhit dhe marrëveshjeve të huave - Kompanitë mund të pësojnë sfida të rrjedhës të parave për shkak të ndërprerjeve në operimet e tyre, kostove operative më të larta ose fitimeve të humbura. Ata mund të kenë nevojë të marrin financim shtesë, të ndryshojnë kushtet e marrëveshjeve ekzistuese të borxhit ose të kërkojnë të lirohen nga detyrime në rastin e mosplotësimit të kushteve të marrëveshjes.  
  • Konsideroni opsione alternative të zinxhirit të furnizimit - Kompanitë që furnizohen me pjesë ose materiale nga furnitorë në zonat e ndikuara ndjeshëm nga COVID-19, do ju duhet të kërkojnë për variante të tjera të furnizimit.
  • Përcaktoni se si ndikon kriza e COVID-19 në buxhetet dhe planet e biznesit - Kompanitë duhet të testojnë planet financiare për skenarë të shumtë dhe të rrisin shpeshtësinë e rishikimeve të buxhetit për të kuptuar ndikimin e mundshëm në performancën financiare dhe për të vlerësuar se sa kohë mund të vazhdojë.

3. Komunikoni me akterët relevant

Komunikimet e qarta, transparente dhe në kohë janë të nevojshme gjatë krijimit të një platforme për të riorganizuar biznesin dhe siguruar mbështetje të vazhdueshme nga klientët, punonjësit, furnitorët, kreditorët, investitorët dhe autoritetet rregullatore.

  • Klientët - Kompanitë duhet t'i mbajnë klientët e azhurnuar me çdo ndikim në produktin ose ofrimin e shërbimeve. Nëse detyrimet kontraktuale nuk mund të përmbushen si rezultat i ndërprerjes së furnizimit ose prodhimtarisë, është e rëndësishme të mbani linja të hapura komunikimi për të rishikuar afatet kohore ose për të thirrur klauzolat e rasteve të jashtëzakonshme. Një veprim i tillë proaktiv do të ndihmojë në lehtësimin e ndëshkimeve ose detyrimeve që lidhen me obligimet e ndërprera të klientit.
  • Punonjësit - Gjatë planifikimit të komunikimit me punonjësit duhet bërë përpjekje për të gjetur ekuilibrin mes kujdesit dhe ruajtjes së një mentaliteti të biznesit si zakonisht.
  • Furnitorët - Kompanitë  duhet të mbajnë kontakte të rregullta me furnitorët lidhur me aftësinë e tyre për të ofruar mallra dhe shërbime gjatë krizës COVID-19 dhe planet e tyre të rimëkëmbjes, në mënyrë që kompania të kërkojë opsione të tjera të furnizimit në kohën e duhur.
  • Kreditorët dhe investitorët - Kompanitë duhet të rishikojnë termat dhe kushtet e kontratave të huasë për të identifikuar borxhet e ndjeshme dhe për të shmangur shkeljet e borxhit. Këto rishikime u japin kompanive një shans të drejtojnë në mënyrë proaktive dialogun dhe komunikimet me kreditorët në lidhje me çdo ndryshim të nevojshëm në kushtet ekzistuese ose marrëveshjet e rifinancimit.
  • Qeveria dhe rregullatorët - Gjatë komunikimit me akterët relevant, kompanitë duhet të këshillohen me ekipet e tyre ligjore mbi detyrimet e mundshme, si dhe me njësitë e tyre të biznesit lidhur me mënyrën e menaxhimit të komunikimeve rreth shkeljeve të vazhdueshme dhe mbledhjes së provave, nëse ka.

4. Maksimizoni përdorimin e mbështetjes së qeverisë për bizneset, atëherë kur është e mundur

Administratat në të gjithë botën po zhvillojnë me shpejtësi masa të reja për të adresuar sfidat ekonomike me të cilat përballen industritë, kompanitë dhe punonjësit.

Shumë vende kanë prezantuar tashmë masa fiskale dhe/ose monetare me qëllim për të lehtësuar sfidat e krijuara nga COVID-19.

Ndërsa zhvillohen masa të reja, kompanitë duhet të punojnë për të ndjekur ndryshimet rregullatore dhe legjislative, të analizojnë se si politikat zbatohen për bizneset e tyre, të ndajnë shqetësimet ekonomike dhe propozimet e politikave me rregullatorët dhe ligjvënësit, dhe të njoftojnë punonjësit lidhur me përfitime të reja në dispozicion.

5. Ndërtoni rezistencë gjatë përgatitjes për kthimin në normalitetin e ri

Pasi kompanitë të kenë përforcuar strategjitë dhe të komunikojnë ndonjë udhëzim të ri me akterët relevant, ata duhet të veprojnë bazuar në planet e rishikuara ndërsa monitorojnë situatat e paqëndrueshme. Menaxhmenti i lartë duhet të raportojë çdo devijim material nga plani në kohën e duhur në mënyrë që të mund të ndërmarrin veprime shtesë për të shmangur ndikimin e mëtejshëm negativ.

Pasi të vihet nën kontroll përhapja e COVID-19, kompanitë duhet të rishikojnë dhe rinovojnë planet për vazhdimësi të biznesit (PVB). Ata duhet të vlerësojnë funksionimin e PVB-ve ekzistuese. Nëse ka mangësi, kompanitë do të duan të identifikojnë shkaqet thelbësore, nëse ato përfshijnë afatin e veprimit, mungesën e infrastrukturës, mungesë të fuqisë punëtor, ose çështjet të mjedisit të jashtëm. Më pas, duhet të marrin në konsideratë vendosjen e udhëzimeve të reja të brendshme bazuar në rezultatet e gjetura, si dhe plane të emergjencës për të ndërtuar rezistencë dhe për t'u përgjigjur më mirë krizave të ardhshme.

Planifikoni rimëkëmbjen tani, jo më vonë

Megjithëse ka akoma për të mësuar pas krizës, kompanitë duhet të marrin vendime përgjatë saj duke pasur parasysh rimëkëmbjen.

Kriza COVID-19 është e pamundur të parashikohet me mençuri konvencionale dhe mjete parashikuese. Sidoqoftë, ka shumë mësime që kompanitë mund të mësojnë dhe përcjellin pasi të ketë kaluar kriza dhe të kenë pasur mundësi të analizojnë përgjigjen e tyre.

Pas përfundimit të krizës, do të jetë e qartë se cilat kompani janë rezistente dhe kanë aftësi për të riformuar strategjinë e tyre të biznesit për të përparuar në të ardhmen.

Në periudha më të gjata kohore, kompanitë duhet të shqyrtojnë se sa i fuqishëm ishte biznesi i tyre, ekipi menaxhues dhe iniciativat, në përballjen e krizës. Është gjithashtu e rëndësishme të shqyrtohen dhe rivendosen supozimet e biznesit që mbështesin zinxhirin e furnizimit dhe pika fokusi të tjera, ndaj të cilave shumë biznese janë ekspozuar me kalimin e kohës.