COVID 19: Opinione nga Anëtarët

2021-04-07 - 12:41

Shënim: ​Opinionet e publikuara në portalin Covid 19 janë opinione individuale dhe nuk paraqesin domodoshmërisht pikëpamjet e Shoqatës.

 

Rimëkëmbja e ekonomisë në kohën e pandemisë COVID 19

Opinion nga: Fisnik Nimoni - Teknik i Kontabilitetit

Ngecja dhe dëmet në ekonominë e Kosovës  si pasojë e pandemisë COVID-19 janë të thella, shumë dimensionale, dhe do të marrin kohë për tejkalim. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet studiuar formën adekuate dhe të veprojë me një pako emergjente për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Organizatat dhe institutet profesionale në bashkëpunim me odat afariste dhe klubet e ndryshme të bizneseve duhet të bashkohen për t’i asistuar qeverisë në hartimin e një pakoje të qëndrueshme emergjente për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Pakoja emergjente duhet të jetë e kategorizuar në detaje dhe si e tillë t’i subvencionojë sektorët veç e veç sipas shkallës së prekjes nga pandemia, duke marrë në konsideratë masat e ndërmarra nga qeveria në kufizimin e funksionimit të bizneseve për tu mbrojtur nga përhapja e pandemisë.

Viktima kryesore ekonomike gjatë kësaj pandemie padyshim  është sektori privat dhe të punësuarit e këtij sektori. Bizneset private, duke veçuar gastronominë, agjencitë dhe kompanitë turistike (transporti tokësor dhe ajror i udhëtareve), prodhimi (si pasojë e rënies së dukshme të kërkesës për konsum/blerje), shërbimet dhe profesionet (noterisë, avokaturës, ekonomisë shkollat private, përmbaruesit privat, agjencitë e patundshmërisë, sallonet e bukurisë etj.), ambulancat dhe laboratorët privat, qiradhënësit, ndërtimtarët, tregtia e tekstilit, të gjitha tregjet (të kafshëve, të automjeteve, të gjelbra etj.).

Pra po bëhet fjalë për paralizimin e komplet zinxhirit të burimeve kryesore të të hyrave në vend.

Sipas problemeve të evidentuara në terren nga kontaktet e përditshme me bizneset, vërehet nevoja  për një pako emergjente gjithëpërfshirëse për rimëkëmbjen e ekonomisë. Pako emergjente duhet të asistoj drejtpërdrejt në përballimin e problemeve të krijuara në ekonominë e vendit, për qytetarët dhe për bizneset.

Konsideroj dhe rekomandoj se masat e domosdoshme që duhet ti përmbajë kjo pako si minimum do të duhej të jenë :

Për qytetarë dhe të punësuarit

1. Skema sociale e të regjistruarve të paguhet me tri paga shtesë gjatë gjashtë muajve te vitit 2020 (çdo muaj të paguhet mbi pagën e rregullt një gjysmë e pagës shtesë)
2. Për gjashtë muaj të vitit 2020 duke filluar nga muaji mars, të subvencionohen direkt për 50% pagesat e: rrymës (deri në shumën 50€ për çdo njehësor), ujit, mbeturinave dhe tatimeve komunale për të gjithë qytetarët (përjashtim bën skema sociale nga pika 1, që duhet liruar tërësisht), shumën e zbritur nga fatura ta inkasoj direkt kompania gjegjëse nga pako e rimëkëmbjes.
3. Për blerjet e ushqimit dhe produkteve esenciale, të rimbursohet TVSH-ja për secilin qytetar(duke aplikuar individualisht përmes kuponëve fiskal), kjo për të ndikuar në lirimin e shportës esenciale të konsumit, aplikimi të bëhet në dy periudha (për dy-tre mujorësh, gjithsej gjashtë muaj).
4. Paga minimale (170€) të paguhet për tre muaj të vitit 2020 ( mars, prill, maj) për të gjithë të punësuarit në sektorin privat, pa dallim (duke përjashtuar vetëm bizneset që kanë pasur funksionim me orar normal dhe pa ndikim nga vendimi për mbrojtje nga pandemia).
5. Për gjashtë muaj, interesi i kredive të të gjithë të punësuarve të sektorit privat të paguhet nga kjo pako (të kompensohen bankat pas dëshmive të heqjes nga plani i pagesave të kredisë për këta 6 muaj të vitit 2020).
6. Tatimi në paga për të punësuarit të hiqet/lirohet  për 6 muaj (për pagën 170€).
7. Të gjithë qiramarrësve fizik, t’ju subvencionohet një qira brenda vitit 2020.

Për Bizneset

1. Pagesa e qirasë të kompensohet tre muaj deri në shumën 50% për njërën nga pala e kontratës (nëse qiradhënësi ka inkasuar pagesën e qirasë, atëherë të drejtën e rimburësimit ta ketë qiramarrësi, dhe anasjelltas), kjo vlen për bizneset që kanë operuar gjatë kohës së pandemisë por kanë pasur vështirësi në likuiditet.
2. Për gjashtë muaj të vitit 2020 të kompensohet qiraja për bizneset te cilat kanë qenë të mbyllura gjatë kohës së pandemisë sipas  vendimeve  për mbrojtje nga Covid 19.
3. Interesi për kredi ekzistuese (e realizuar sipas kontratës së kredisë para datës 15.03.2020) të rimbursohet nga kompania deri më datën 31.12.2020, duke u subvencionuar nga kjo pako.
4. Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura gjatë kohës së pandemisë të rimbursohen në shumën 50% deri më datën 31.12.2020 për shpenzimet fikse të rrymës, dhe të shërbimeve komunale.
5. Kompanitë e transportit të udhëtarëve të lirohen 100% nga pagesa për linjat e udhëtimit dhe licenca për vitin 2020 (ato kompani që kanë paguar tashmë këtë taksë, të rimbursohen deri më 31.12.2020)
6. Të vetë-punësuarit: (noterët, avokatët, përmbaruesit, kontabilistët, zejtarët, floktarët, tregtarët etj), të subvencionohen me 50% të të hyrave të realizuara sipas TM1 2020, por jo me shumë se 510 € (3*170 €)
7. Lënda e parë (import dhe blerje vendore) të lirohet nga TVSH-ja deri me 31.12.2020
8. Sektori i gastronomisë të lirohet nga pagesa e shfrytëzimit të hapësirës publike për vitin 2020.
9. Për të gjitha bizneset pa dallim të lejohet një zbritje shtesë prej 10% si pasojë e humbjeve gjatë vitin 2020 (kjo do të ndihmonte kompensimin e tatimit në fitim)
10. Të gjithë të punësuarit e kompanive që kanë operuar gjatë pandemisë, të paguhen si pasojë e rrezikshmërisë në shumën prej 150€ për një muaj.
11. Deklarimi i TVSH-së për muajin shkurt, mars, prill 2020 të bëhet më 31.05.2020.

Kjo pako duhet të shtojë edhe buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë, në mënyrë që çdo bujk të ketë një rritje/shpërblim 20% mbi shumën që aplikon për subvencion.

Implementimi i pakos duhet filluar menjëherë, dhe barrën e implementimit duhet ta bartin Ministria e Financave (përmes ATK-së), Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Zhvillimit Ekonomik, dhe Ministria e Bujqësisë.

Masat e lartë cekura janë minimale për ta mbajtur në rrjedhë normale gjendjen sociale dhe ekonomike ne vend.