Pakti për ekonomi të re

2020-04-16 - 07:05

Artikull i shkruar nga: Arian Zeka – Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Berat Rukiqi – Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Visar Ramajli – Partner në KIVO

Mundësitë e humbura

Është thënë shumë herë se modeli ekonomik i Kosovës nuk është i duhuri dhe si i tillë nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm. Në lëmshin e qeverisjes politike të Kosovës së pasluftës nga Administrata e Kombeve të Bashkuara deri te institucionet vetëqeverisëse pas shpalljes së pavarësisë, qeverisja ekonomike është karakterizuar kryesisht me veprime improvizuese e shumë pak veprime të integruara e sistematike, pavarësisht strategjive të shumta të hartuara përgjatë viteve. Në një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë si bazë kushtetuese e rregullimit ekonomik të Kosovës, koncepti i përfshirjes së dorës së shtetit në sektorin privat është parë në kundërshtim me metaforën e dorës së padukshme të Adam Smithit. Avancimi në proceset integruese evropiane, në anën tjetër, impononte obligime strikte mbi shtetin e Kosovës, në aspektin e zbatimit të parimeve të ekonomisë së tregut të lirë, por edhe kufizimin e ndihmës shtetërore për ndërmarrjet për të shmangur çrregullimin e tregut përmes favorizimit të ndërmarrjeve të caktuara.

Kosova kishte huqur dy mundësi për të krijuar modele të duhura të zhvillimit ekonomik - në vitin 1999 kur ishte çliruar nga okupimi dhe në vitin 2008 pas shpalljes së pavarësisë. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme pozitive përgjatë viteve, burimet e kësaj rritje ishin tërësisht të paqëndrueshme. Se Kosova ka tejkaluar shtetet fqinje kur bëhet fjalë për normën e rritjes ekonomike përgjatë dhjetë viteve të fundit, konfirmohet edhe nga Banka Botërore, ashtu siç konfirmohet edhe fakti se modeli i rritjes i bazuar kryesisht në dërgesat nga diaspora, nuk ka mundur të ndikojë në krijimin e vendeve të reja të punës, e veçanërisht për gratë dhe të rinjtë në përgjithësi. Në rrethana kur investimet e brendshme mbesin të kufizuara, ndërsa investimet e jashtme janë gjithnjë e në rënie, krijimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve mbeten vetëm ambicie deklarative. E ardhmja do të na gjykojë rëndë nëse ia huqim për të tretën herë!

Shansi i ri për të bërë ndryshimin

Shpërthimi i pandemisë globale COVID19 ka ngadalësuar rritjen ekonomike duke detyruar mbylljen e dyqaneve dhe kufijve, duke çrregulluar tregjet anembanë botës dhe duke shkaktuar në këtë mënyrë edhe mbylljen masive të vendeve të punës. Pasojave të kësaj pandemie nuk do të mund t’i shmanget as Kosova, dhe ngjashëm si në shtetet e tjera (madje edhe ato me ekonomi të zhvilluar) rimëkëmbja ekonomike nuk mund as të mendohet pa ndërhyrjen direkte të shtetit. Si asnjëherë përgjatë dy dekadave të fundit, Kosova ka shansin e ri unik për të bërë ndryshimin. Pakoja e rimëkëmbjes duhet të bazohet në disa shtylla të rëndësishme:

(1) Pakti Kombëtar për Transformim Ekonomik, do të përfshijë të gjithë hisedarët vendimmarrës në vend, sektorin privat dhe sektorin financiar. Synimi i paktit duhet të jetë përcaktimi i prioriteteve afatgjata, afatmesme dhe afatshkurtra për zhvillimin ekonomik të vendit, përmes politikave, instrumenteve dhe masave që e vendosin sektorin privat në pozicionin e tij të merituar - në gjenerator të rritjes ekonomike. Të gjitha prioritetet, politikat, instrumentet dhe masat duhet të plotësojnë tri kritere bazë: Të jenë në harmoni të plotë me rregullat e ekonomisë së tregut; të bazohen ne të dhëna dhe analiza ‘cost-benefit’, si dhe të jenë të buxhetuara, duke përfshirë edhe identifkimin e burimeve financimit, ku rol të patjetërsueshëm luajnë edhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe komuniteti i donatorëve.

(2) Thelbi i transformimit ekonomik duhet të jetë modeli i ri zhvillimor, i bazuar në një strategji që mundëson një largim gradual të varësisë nga burimet jostabile të rritjes ekonomike, përfshirë investimet publike dhe remitencat, e këto të fundit duhet të zëvendësohen me investime direkte nga diaspora. Modeli i ri zhvillimor duhet të fokusohet në sektorët që kanë aftësi konkurruese, me potencial të lartë për eksport dhe integrim në zinxhirët furnizuesë rajonalë dhe globalë. Për forcimin e këtyre sektorëve me aftësi konkurruese, duhet të nxiten investime të jashtme. Promovimi i mundësive për investime duhet të këtë në fokus ndërmarrjet ndërkombëtare te cilat synojnë stabilizimin e zinxhirit të furnizimit dhe ruajtjen e aftësisë konkurruese, pas një largimi të mundshëm të tyre nga vendet aziatike.

(3) Modeli i ri zhvillimor nënkupton edhe ndryshim të mendësisë së të bërit biznes. Paradigmi i këtij modeli nuk mund të paramendohet pa aspektin digjital. Prandaj, sektorët me potencial konkurrues dhe shërbimet përcjellëse për këta sektorë, duhet të kalojnë në një proces holistik të transformimit digjital. Kufizimet e aktiviteteve ekonomike si rezultat i pandemisë COVID19, e kanë vënë nevojën e transformimit digjital të bizneseve në një dimension të ri. Të gjitha industritë duhet të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen nga digjitalizimi, si për të rritur përparësitë konkurruese, ashtu edhe për t’u mbijetuar vështirësive si këto të shfaqura pas pandemisë. Megjithatë, për një sukses më të madh, digjitalizimi duhet të integrojë edhe qeverisjen dhe shërbimet publike, por edhe edukimin dhe kujdesin shëndetësor.

(4) Për një model të ri zhvillimor duhen financa dhe kapital njerëzor. Buxheti i vendit dhe resurset ekzistuese financiare janë të pamjaftueshme për nisjen e një cikli të ri të zhvillimit të vendit. Prandaj na duhet të avancojmë instrumentet ekzistuese të sistemit financiar, për të rritur kapitalin në treg, përmes krijimit të fondeve investive, të cilat mund të akumulojnë mjete nga qytetarët, bizneset, diaspora, institucionet financiare, etj. Përmes fondeve investive private do të financohej rritja e ndërmarrjeve tona në tregjet ndërkombëtare, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe projektet e rëndësisë strategjike. Ndërsa, sa i përket kapitalit njerëzor, nevojitet një transformim i plotë i sistemit të edukimit i cili duhet të reflektojë tiparet dhe sjelljet e gjeneratave të reja, por edhe nevojat reale të tregut të punës dhe prioritetet e Paktit Kombëtar të Transformimit Ekonomik. Investimet e huaja direkte do të kishin rol kyç, si në aspektin e kapitalit financiar, ashtu edhe në aspektin e transferimit të njohurive.

Shpikja e rrotës që tashmë ekziston

Ekonomia e Irlandës sot shënon performancë më të mirë se shumica e ekonomive të eurozonës, me papunësi gati inekzistente. Indeksi i Konkurrueshmërisë së Forumit Ekonomik Botëror rendit Irlandën në vendin e 24-të nga 137 shtete të botës. Pavarësisht se ishte ndër shtetet më të goditura nga kriza ekonomike e viteve 2007 dhe 2008, Irlanda kishte arritur ta kthente shpejtë rritjen ekonomike në binarët e duhur. E tridhjetë vite më parë, Irlanda ishte njëra ndër shtetet me papunësinë dhe inflacionin më të lartë në Evropë. Ajo çfarë ndryshoi kursin ekonomik të Irlandës përgjatë tri dekadave të fundit, nuk kishte asgjë magjike. Ishte thjeshtë rezultat i konsensusit politik dhe social për sa i përket rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Norma mesatare e rritjes ekonomike të Irlandës ndërmjet viteve 1979-1987 ishte 1.5% derisa papunësia ishte 17%, gjë që shtyri elitat e Irlandës të kuptonin nevojën e një strategjie të re ekonomike e cila do të garantone mbajtjen e rritjes ekonomike, e themel i kësaj strategjie do të ishte pikërisht konsensusi i gjerë politik. Konsensusi do të bënte që gara politike të zhvendosej përtej premtimeve populiste në një plan koherent të veprimeve të harmonizuara pavarësisht asaj se kush do të fitonte të drejtën e mbajtjes së timonit të shtetit. Elementet kyçe të strategjisë së vitit 1987 të titulluar Programi për Rikuperim Kombëtar do të përfshinin rritjen e përgjegjësisë fiskale, përmes reduktimit të shpenzimeve publike, si dhe përmirësimin e ofertës për investitorët e huaj përmes krijimit të lehtësirave tatimore. Si rrallëherë, në zbatimin e këtij programi do të bashkoheshin edhe sindikatat e punëtorëve. Programi formësoi të ardhmen e re ekonomike dhe sociale të Irlandës. Ndërsa pas tij, përgjatë dy dekadave të ardhshme do të nënshkruheshin edhe gjashtë marrëveshje të tjera të partneritetit kombëtar. Rezultatet do të ishin thjeshtë impresive. Deri në vitin 2000 stoku i investimeve të huaja direkte do të arrinte në nivelin vjetor prej 127 miliardë dollarësh, ndërsa do të dyfishohej përgjatë dekadës së ardhshme.

Flamujt e protagonizmit partiak poshtë

Rëndom kur kritikojmë qasjen e të gjitha qeverive karshi zhvillimit ekonomik të Kosovës, pyetja që marrim nga ata që përcjellin qëndrimet tona është: Dhe si ndryshohet kjo? Cila është zgjidhja?

Në gjetjen e qasjes së duhur karshi progresit socio-ekonomik, nuk duhet shkrirë mend, e as nuk duhet harxhuar kohë e mund në sajimin e modeleve eksperimentale, të cilat mund ose jo të kenë efekt. Shembulli i Irlandës është rruga përpara! Dhe nëse jo për tema të tjera, flamujt partiakë duhen ulur, atëherë kur flitet për krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e mirëqenies sociale.

Partitë politike, pa dallim, duhet të arrijnë dakordim për një strategji të unifikuar, për një pakt të ri ekonomik, i cili do të përcaktonte drejtimin të cilin vendi duhet të ndjekë, e jo vetëm për t’u rimëkëmbur pas pandemisë COVID19, por edhe për një dinamizëm të ri ekonomik që bazohet në katër shtyllat e sipërcekura. Profesorët universitarë, ekspertët e ekonomisë, ndërmarrësit, bujqit, bankat, sindikatat dhe odat ekonomike do të duhej të tkurrnin egon e tyre në këmbim të një vizioni që sheh përtej përfitimeve individuale. Një vizioni që transformon jo vetëm vetëdijen dhe veprimin tonë ekonomik, por edhe krenarinë kolektive për Kosovën.

Për të gjithë ata, pyetja e radhës e të cilëve është: A mund të arrihet ky unitet? Përgjigja është: Natyrisht, ai tashmë ka nisur të mbijë!