SHKÇAK: Rekomandimet drejt Rimëkëmbjes Ekonomike

2021-04-09 - 01:34

Kosova nuk është vendi i vetëm i cili është duke kaluar në një krizë ekonomike nga Pandemia COVID-19, kjo gjendje është gjithëpërfshirëse në tërë globin. Në veçanti, kjo krizë është duke i prekur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMiVM), të cilat janë duke u’ përballur me humbje të mëdha.

Në të gjitha shtetet, nga ekspertë të ekonomisë është duke u diskutuar rëndësia strategjike që ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMiVM) kanë në ekonominë e shteteve të tyre respektive por edhe globalisht. Këto biznese mbulojnë rreth 90% të aktiviteteve ekonomike dhe me shumë se 50% të punësimit global, si dhe, kontribuojnë me më shume se 40% të BPV-së (GDP) në vendet e zhvilluara,  dhe ky numër mund të rritet edhe me shumë nëse kësaj përqindje do t’ i shtohej edhe sektori joformal.

Duke marrë për bazë që në Kosovë pothuajse të gjitha ndërmarrjet kategorizohen si ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (NMiVM), theksi i veçantë i politik bërësve dhe qeverisë së Kosovës duhet të jetë tek NMiVM. Kjo për arsye se këto ndërmarrje janë duke u dëmtuar më së shumti nga masat e ndërmarra për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID-19.  Është momenti i duhur që Qeveria të rishikojë tërë strategjinë e zhvillimit ekonomik për rimëkëmbje më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkret si në aspektin e mbrojtjes së shëndetit publik, ashtu edhe në mbështetjen financiare të bizneseve dhe qytetarëve përmes pakos emergjente fiskale. Megjithatë, përderisa po ofrohet mbështetje e përkohshme, duhet të punojmë në zhvillimin e një strategjie afatmesme si dhe në gjetjen e modalitetit për rimëkëmbje.  

Si shoqatë profesionale jemi të bindur që të gjitha masat e propozuar jo vetëm që do të ndihmojnë ekonominë e Kosovës por gjithashtu do të japin një drejtim strategjik të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Rekomandimet për veprim të menjëhershëm drejt rimëkëmbjes ekonomike:

1. Qeveria të formojë një “task force” të përbërë nga profesionistë të pavarur të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, të angazhuar me orar të plotë për periudhë të caktuar, të cilët do të punojnë në vlerësimin e gjendjes aktuale të ekonomisë dhe zhvillimin e një plani të rimëkëmbjes.

2. Rekomandohet që të rishikohen pagat e sektorit publik duke i’u përshtatur rrethanave aktuale. Qeveria duhet të fillojë me implementimin e rekomandimeve të FMN-së për ristrukturimin e administratës publike.

3. Propozohet që BQK të marrë vendim për dhënien e “grace periudhës” prej 6 muajve për të gjitha bizneset të cilat kanë kredi aktive në të gjitha institucionet financiare në Kosovë dhe të sigurojë që kjo nuk do të shkaktojë përllogaritje të reja të interesit nga institucionet financiare.

4. Propozohet që BQK të marrë të gjitha veprimet për të inkurajuar institucionet financiare në ofrimin e qasjes më të lehtë në financa për sektoret si prodhimi dhe  bujqësia. Ndërsa për masat tashmë të marra nga BQK, rekomandohet monitorim i vazhdueshëm nga ana e BQK-së mbi zbatimin e vendimin për pezullimin e përkohshëm të pagesës së këstit të kredive aktive për një kohë të caktuar (30 Prill 2020, me mundësi të zgjatjes), duke u siguruar që bizneset të mos ngarkohen me asnjë kosto shtesë.

5. Të përgatitet analiza për industritë të cilat kanë ndikim afatshkurtër në rimëkëmbjen e ekonomisë në Kosovë (prodhimin, bujqësinë, teknologji informative, prodhimin e energjisë), në mënyrë që përkrahja financiare të orientohet drejt tyre.

6. Të përshpejtohet procesi i shlyerjes së borxheve që Qeveria dhe Ndërmarrjet Publike kanë ndaj bizneseve në mënyrë që kjo të kontribuojë në rritjen e likuiditetit të tyre. Po ashtu: (i) të përshpejtohen edhe proceset e rimbursimeve të tatimeve direkte dhe indirekte ndaj bizneseve, dhe (ii) si masë e përkohshme për dy vitet e ardhshme, TVSH të deklarohet dhe paguhet në baza tre mujore që bizneset të kenë likuiditet më të lartë në këtë periudhë.

7. Rekomandohet që të gjitha Komunat të analizojnë kapacitetin e tokave që mund te shfrytëzohen për bujqësi. Të kërkohet ndihmë financiare apo kredi nga partnerët strategjike, për të mbështetur programet dhe paketa investive për NMiVM dhe të cilat mund të ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës në këto sektore, të japin një shtytje aktiviteteve ekonomike me të cilën do të mund të rikthehen në funksion, si dhe, të zvogëlojnë pasojat të cilat kjo krize është duke i’ u imponuar.

8. Të ndryshohet qasja e Qeverisë nga një politikë e duarve larg intervenimit në vendime investive, në një qasje këshillëdhënëse. Kjo nuk do të duhej të ishte një ndërhyrje e centralizuar, por këshilla të mirë informuara duke shfrytëzuar qasjen në informata për të ndihmuar sektorin vendor të prodhimit. Pikënisje do të duhej të ishte analiza se cilët sektorë do të mund të zëvendësonin eksportin me një kosto më të ulët të mundshme si dhe cilësinë më të përafërt të mundshme.  Në anën e ndihmës financiare, këto ndërmarrje të cilat do të filtroheshin dhe do të hynin në databazën e MEPTINIS-së do të duhej të përkraheshin pa rezervë nga qeveria.

9. Asistencë tjetër për sektorin e prodhimit dhe bizneset eksportuese: lirimi nga tatimi në fitim në periudhë deri 10 vjeçare, dhe të vazhdojë politika ekzistuese e lirimit nga të gjitha detyrimet fiskale në lëndë të parë.

10. Rekomandohet krijimi i një fondi investiv përkatës i cili do të krijohej nga mjetet të destinuara për investime kapitale joproduktive (infrastrukturë/rrugë) apo edhe nga një pjesë e mjeteve nga privatizimi i ndërmarrjeve publike. Një fond i tillë i ndarë nga Qeveria do të mund nxisë interesim për mbështetje të fondit edhe prej donatorëve tjerë.

11. Aftësimi profesional do të duhej të ishte prioritet, si dhe një pjesë e fondit të orientohej në përafrimin e aftësive të fuqisë punëtore me nevojat e ndërmarrjeve në sektorin e  prodhimit dhe bujqësisë.

12. Të merret në konsideratë rritja  e emetimit të bonove të thesarit nga Republika e Kosovës si instrument i financimit të buxhetit. Meqenëse niveli i borxhit publik është në nivel të ultë në raport me BPV (GDP) krahasuar me vendet në rajon, atëherë mund të konsiderohet që masat për mbështetjen e ekonomisë të realizohen nga ky burim i financimit. Poashtu, Trusti Pensional i Kosovës mund të jetë si investitor potencial në këto letra me vlerë të qeverisë, meqenëse një gjë e tillë edhe është paraparë me ligj (deri 30% të drejtë investimi ne Kosovë).

 

Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës
Prill, 2020

www.scaak.org