Efekti i Pandemisë COVID - 19 në Ekonomi dhe Sistemin e Raportimit Financiar në Kosovë

2020-04-08 - 12:31

I. Hyrje

Pandemia COVID-19 paraqet jo vetëm një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut, por edhe një tronditje të madhe për ekonominë evropiane dhe globale. Shumica e vendeve evropiane kanë ndërmarrë masa mbrojtëse duke ndaluar lëvizshmërinë, për të parandaluar përhapjen më të gjerë të pandemisë që mund të çojë në kollapsin e sistemeve të kujdesit shëndetësor kombëtar dhe në shumë vdekje. Republika e Kosovës është ndër shtetet që paraprakisht kanë ndërmarrë masa parandaluese.

Para se të kishte ndonjë rast pozitiv me COVID-19 në Kosovë, qeveria vendosi të mbyllë institucionet arsimore të të gjitha niveleve si një masë parandaluese për përhapjen e COVID-19 në popullatë. Më 15 Mars 2020, qeveria e Kosovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik, duke caktuar kufizime strikte të cilat në mënyrë efektive e vendosën Kosovën në ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve.

Ndërsa u njoftuan rastet e para të individëve të infektuar me COVID-19, qeveria ndërmori masa mbrojtëse si: (i) ndalimi i transportit publik brenda Kosovës, si dhe transportin ndërkombëtar; (ii) mbyllja e kufijve tokësorë për udhëtarët që hyjnë në Kosovë (kjo nuk vlen për qytetarët e Kosovës); dhe (iii) ndalimin e të gjitha udhëtimeve ajrore në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake ose emergjente. Qeveria vendosi një rrjet të stafit mjekësor në kufijtë tokësorë dhe aeroport me synimin për të kontrolluar qytetarët e Kosovës të cilët vijnë nga jashtë, dhe dërgimin e atyre që vijnë nga vendet me rrezik të lartë/ të mesëm në karantinë të detyrueshme për 14 ditë në konviktet e Universitetit Publik të Prishtinës, më parë i shfrytëzuar nga studentët.

Edhe pse numri i individëve të infektuar me korona virus në Kosovë është i ulët [1] krahasuar me vendet e tjera fqinje, Qeveria ka ndaluar funksionimin e një game të gjerë të aktiviteteve ekonomike (të gjitha bizneset janë të mbyllura, përveç dyqaneve ushqimore dhe barnatoreve).

Pasojat ekonomike të masave të tilla janë të mëdha, dhe ndjehen përmes kanaleve të furnizimit dhe kërkesës. Ndërsa efektet fillestare po ndiheshin kryesisht nga industria e udhëtimit dhe ofruesit e edukimit, ndikimi tani është dukshëm më i gjerë dhe po krijon një pasiguri të konsiderueshme për zinxhirët e furnizimit dhe ekonominë. Kjo pasiguri po krijon rreziqe që entitetet nuk mund të kenë hasur më parë. Individët kanë frikë të humbasin punën dhe jetesën e tyre, dhe shumë kompani, veçanërisht NVM-të dhe mikrobizneset, rrezikojnë të falimentojnë, gjë që natyrisht do të kishte një efekt negative në vendet e punës.

II. Ndikimi ekonomik në pakon fiskale emergjente

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) deklaroi se "pandemia COVID-19 ka ndikuar në sektorë të shumtë të ekonomisë së Kosovës, duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive, gjë që rrezikon aftësinë e tyre paguese dhe mund t’i shtyjë ato edhe drejt falimentimit. Në të njëjtën kohë, punonjësit e këtyre bizneseve rrezikojnë që pjesërisht apo edhe plotësisht të mbeten pa të ardhura, duke ndikuar kështu negativisht në fuqinë blerëse të konsumatorëve. Në këto kushte, kur kërkesa për kredi bie dhe po ashtu edhe pasiguria për të ardhmen rritet, pritet të ketë edhe rënie të kreditimit nga institucionet financiare, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve. Një kanal tjetër i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga kriza pandemike mund të jetë edhe sektori i jashtëm. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitancat, duke pranuar një shumë prej mbi 10% të BPV-së në baza vjetore. " BQK parashikon se ekonomia e Kosovës do të pësojë një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020. 

Deri në 80% të bizneseve në Kosovë janë në kategorinë e NVM-ve. Për të lehtësuar vështirësitë financiare për biznese dhe për të ndihmuar popullatën përderisa mbrojnë ekonominë, Qeveria e Kosovës kohët e fundit lansoi një pako fiskale emergjente për të pakësuar rrezikun e rritjes së falimentimeve gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Disa nga masat e ndërmarra janë renditur më poshtë:

  • Ndërmarrjet që kanë shënuar rënie të të hyrave si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë punonjësit e tyre në shtëpi, qeveria do të ndihmojë me mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove; Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;
  • Ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së urgjencës së shëndetit publik, mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit. Qeveria  alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.
  • Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë masë do të jetë 4 milionë euro.
  • Mikro-ndërmarrjet dhe të vetë punësuarit mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë do të ndahen 15 milionë euro.
  • Buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rritur për 5 milion Euro shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.
  • Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.

Me përhapjen e pandemisë COVID-19 në të gjithë vendin, Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë një masë lehtësimi që synon adresimin e pasojave ekonomike tek individët, familjet dhe bizneset. Një masë e tillë lehtësimi përfshin shtyrjen e afatit për pagesën e kredive. Ata huamarrës të cilët nuk janë në gjendje të paguajnë këstin e kredisë, mund të kërkojnë nga banka e tyre të shtyjë afatin e pagesës së kredisë deri më 30 prill 2020.

III. Ndikimi në raportimin financiar

Të gjithë përgatitësit e pasqyrave financiare dhe auditorët ligjorë në Kosovë, duhet të marrin parasysh ndikimin e korona virusit (COVID-19), në raportet vjetore financiare gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare, që rrjedhin nga ky rrezik global.

Kjo pandemi nuk mund të kishte ardhur në ndonjë kohë më problematike për auditorët ligjorë të Kosovës. Ligji i ri për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim i cili ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2019 është i zbatueshëm për përgatitjen e pasqyrave financiare dhe raportin e auditimit për vitin fiskal që përfundoi më 31.12.2019. Sipas ligjit të ri, auditorët do të shprehin për herë të parë opinionin në Raportin e Menaxhmentit të Ndërmarrjeve me Interes Publik dhe Ndërmarrjeve të mëdha. Për më tepër, për herë të parë, NVM-të me qarkullim vjetor më të vogël se 4 milion EUR kërkohet të deklarojnë ne Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) një Rishikim të Pasqyrave Vjetore Financiare. Duke marrë parasysh sfidat që vijnë nga zbatimi për herë të parë i kërkesave ligjore, si dhe pezullimi i përkohshëm i aktiviteteve ekonomike, Kontabilistët dhe Auditorët e Kosovës janë duke u sfiduar në shumë dimensione.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa të shumta për të mbështetur bizneset dhe ekonominë. Më poshtë janë disa nga masat e ndërmarra:

  • Shtyrja e afatit të  dorëzimit në KKRF të deklaratave të pasqyrave financiare vjetore, raporti i auditorit dhe raportet e rishikimit, për dy muaj (afati i ri 30 qershor 2020);
  • Shtyrja e deklarimit dhe pagesës së tatimeve për një muaj, përfshirë edhe trajtimin e kërkesave për rimbursim të tatimeve.;
  • Përjashtimi i përkohshëm i pagesës së TVSH-së në importet e grurit dhe miellit, për prodhimin e produkteve të bukës.
  • Shtyrja për tre muaj e pagesës së kësteve për tatimin në pronë.

Pandemia COVID-19 vazhdon të bëjë të dukshme atë se si duket një emergjencë globale shëndetësore. Kriza dhe masat që qeveria ka ndërmarrë për ta evituar atë do të rezultojnë me një barrë të rëndë për ekonominë. Fatkeqësisht, pasojat negative në ekonomi ndikojnë thellësisht në NVM-të e Kosovës.

Kontabilistët dhe auditorët, shumë prej të cilëve janë vetë praktikues të vegjël, janë konsulentët e besuar të NVM-ve. Kontabilisti dhe auditori i NVM-ve mund të luaj një rol të madh në ndihmën e NVM-ve për të shmangur masat emergjente që mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e biznesit.

ShKÇAK është duke mbrojtur në mënyrë proaktive anëtarët e saj gjatë kësaj kohe, duke pasur parasysh rolin thelbësor që kontabilistët dhe auditorët po luajnë për të mbështetur bizneset dhe komunitetin, si reagim ndaj ndikimit të pazakontë ekonomik të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Duke pasur parasysh ndikimin e COVID-19 në profesion dhe ekonomi në përgjithësi, ShKÇAK kohët e fundit ka lansuar edhe një portal COVID-19 [2], përmes të cilit do të mundësojmë shpërndarjen e artikujve, opinioneve dhe informacioneve të tjera nga anëtarët tanë, federatat dhe organizatat profesionale ndërkombëtare.

 

[1] www.kosova.health

[2] https://www.scaak.org/Al/informacione-per-covid-19/

 

 

Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës

Mars/Prill, 2020

Prishtina, Kosova

www.scaak.org