Implementimi i Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) gjatë dhe pas situatës pandemike nga COVID-19

2020-03-29 - 12:00

Artikull i shkruar nga: Dr.Sc.Edona Perjuci

Jemi dëshmitarë se situata e krijuar  nga pandemia COVID-19 po ndikon në masë të madhe edhe në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe në paqëndrueshmëri të tregjeve financiare. Në këtë situatë, pasojat ekonomike përpos që kanë filluar të duken qysh tani në horizon, do të vazhdojnë të rriten edhe më tej edhe gjatë muajve në vijim.

Sistemet dhe proceset e raportimit financiar dhe auditimit janë jo më pak të prekura nga kjo situatë e tanishme e krijuar, duke patur parasysh se ndikim të rëndësishëm në këtë drejtim kanë edhe lëvizjet në tregje, për të cilat nevojitet vlerësime dhe gjykime në kontabilitet dhe auditim.

Andaj këto rrethana të krijuara dhe ky ambient global i biznesit, paraqesin sfida dhe vështirësi ndaj kompanive dhe profesionistëve të kontabilitetit dhe auditimit gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare (PF) sipas SNK/SNRF-ve.

Kërkesat për shpalosje janë të ndryshme sipas SNRF-ve të ndryshme, gjithashtu ato janë specifike për industritë dhe kompanitë e ndryshme, por ajo që është thelbësore është se këto shpalosje kërkojnë ushtrim të gjykimit profesional e sidomos në situata të tilla ku nevojitet kujdes i shtuar profesional. Andaj, në vijim janë paraqitur disa çështje të cilat duhet t`i kemi parasysh dhe t`i marrim në konsideratë ne si profesionistë gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare sipas SNRF-ve.

Ngjarjet pas datës raportuese

SNK 10 – Ngjarjet pas datës raportuese  i përcakton këto ngjarje si ngjarje të cilat japin evidencë të mëtejshme të kushteve që kanë ekzistuar në fund të periudhës raportuese dhe për të cilat duhet të ndërmerren veprime korrigjuese për zërat në pasqyrat financiare.

Me qenë se sipas SNK 10 ndallojmë dy lloje të ngjarjeve: ato të cilat japin evidencë të mëtejshme të kushteve që kanë ekzistuar në fund të periudhës së kontabilitetit; dhe ato të cilat japin evidencë të ekzistencës së kushteve vetëm pas fundit të periudhës së kontabilitetit, andaj paraqitet nevoja për korrigjim të zërave në PF për ato ngjarje që janë korrigjuese, ndërsa për ngjarjet të cilat nuk kanë ndikim mbi situatën në datën e PF nuk kërkohet korrigjim i zërave, andaj ato vetëm duhet të shpalosen në shënimet shpjeguese të pasqyrave financiare, natyrisht nëse shumat janë materiale.

Pasi që pandemia COVID-19 ka shkaktuar një sërë ngjarjesh në çdo vend të botës, duke përfshirë edhe Kosovën, secila kompani duhet të vlerësojë faktorët relevant dhe rrethanat për të arritur në përfundim nëse ngjarjet të cilat kanë ndodhur pas periudhës raportuese  janë ngjarje korrigjuese apo jo. Për ta bërë këtë gjykim profesional, kompanitë duhet të marrin parasysh kohën e paraqitjes së pandemisë dhe nëse ngjarjet kanë qenë apo jo si rezultat i pandemisë.

Me qenë se Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka paraqitur coronavirusin si emergjencë globale dhe në fakt si pandemi është shpallur në mars 2020, shumica e qeverive masat i kanë ndërmarrë në vitin 2020. Gjithashtu deri në muajin Shkurt 2020, nuk është parë ndonjë ndikimi i madh në tregjet ndërkombëtare dhe në lëvizjet e paqëndrueshëme të çmimeve. Kjo bën që shumica e ngjarjeve pas periudhës raportuese për vitin 2019, të jenë ngjarje jo-korrigjuese, por të cilat gjithsesi kërkojnë shpalosje në shënimet shpjeguese. Shembuj të ngjarjeve të tilla janë: Rënia në vlerë e investimeve, dëmtimi i pasurive afatgjata duke e përfshirë edhe zërin e mirë, etj

Megjithatë, ka raste të ngarjeve të cilat ofrojnë dëshmi të kushteve që kanë ekzistuar më 31 dhjetor 2019 e të cilat kërkojnë korrigjim. Si p.sh falimentimi i një klienti të rëndësishëm si rezultat i ndërprerjes së tregtimit me Kinën ose vendet tjera, kërkon që të korrigjojmë shpenzimet e borxheve të këqija dhe llogaritë e arkëtueshme në PF-të.

Megjithatë, edhe pse ngjarjet e ndikuara nga COVID-19 mund të mos jenë ngjarje korrigjuese, është e rëndësishme për kompanitë që të shpalosin në shënimet shpjeguese se si ka ndikuar kjo pandemi në aktivitetet e tyre, si p.sh sa ka qenë rënia e konsumit, kërkesës, cilat kanë qenë degët të cilave iu është ndërprerë veprimtaria nga qeveria e Republikës së Kosovës, niveli i lartë i pasigurisë në vlerësimet kontabël, etj.

Vlerësimet në kontabilitet – Vlera e drejtë, Dëmtimet e pasurive jo-qarkulluese (afatgjata), stoqeve,etj

SNRF 13 Vlerësimet sipas vlerës së drejtë kërkon që kompanitë të masin saktë vlerën e drejtë të pasurive dhe detyrimeve sipas çmimeve të tregut spicifike në datën e raportimit, duke u bazuar në supozimet e pjesëtarëve në treg, të cilat do t`i bënin në kushtet aktuale të tregut.

Pra, vlerësimi i vlerës së drejtë të pasurive dhe detyrimeve reflekton kushtet në datën e vlerësimit e jo në periudhat e mëvonshme. Edhe pse ngjarjet të cilat ndodhin pas datës së raportimit mund të ofrojnë informata të rëndësishme mbi kushtet të cilat kanë ekzistuar në datën raportuese.

Kur kompanitë bëjne vlerësime dhe gjykime për të matur vlera e drejta të tregut, duhet të marrin parasysh kushtet dhe supozimet të cilat ishin të njohura për pjesëtarët e tregut në datën raportuese në lidhje me pandeminë COVID-19.

  • SNK 36 Dëmtimi i pasurive

Parimi bazë i SNK 36 paraqet atë që dëmtimi i pasurive përcaktohet duke krahasuar shumën bartëse të pasurisë me shumën e saj të rikuperushme. Përderisa shuma e rikuperueshme është  vlera e drejtë minus shpenzimet për të shitur dhe vlera e saj në përdorim, cilado prej tyre që është më e lartë.

Vlera e drejtë nuk është e njëjtë me ‘vlerën në përdorim’ ashtu si është e definuar me SNK 36 Dëmtimi i pasurive. Vlera në përdorim reflekton faktorët dhe njohuritë specifike për entitetin, përderisa vlera e drejtë reflekton faktorët dhe njohuritë relevante për tregun.

Me qenë se si rezultat i situatës COVID-19 mund të ekzistojnë lëvizje si në faktorët që ndërlidhen me enitetin ashtu edhe me ato që ndërlidhen me tregun, kompanitë duhet t`i bëjnë testet e duhura për dëmtim të pasurive jo-qarkulluese sipas kërkesave të SNK 36. Për shembull, një rënie në fitimet si rezultat i COVID-19 mund të ketë ndikim afatgjatë edhe në parashikimet për të ardhmen, e cila ka ndikim në përcaktimin e shumës së rikuperushme të pasurive jo-qarkulluese (afatgjata). Kjo gjithashtu duke u bazuar se vlera në përdorim matet si vlera e tanishme e rrjedhave të ardhshme të parasë të gjeneruara nga pasuria, duke përfshirë vlerën neto të vlerësuar (nëse ka) në fund të jetës së pritur të përdorimit. E të gjitha këto, gjithsesi se do të ndikohen në masë të madhe nga situata pandemike e krijuar nga COVID-19, të cilat duhet të merren parasysh gjatë dëmtimit të pasurive.

  • Ndikimi në vlerën neto të realizueshme të stoqeve

Një tjetër ndikim sa i përket vlerësimeve kryesore në kontabilitet është ndikimi i situatës COVID-19 në vlerën neto të realizueshme të stoqeve.

Duke patur parasysh kërkesat e SNK 2-Stoqet për të vlerësuar stoqet me kosto ose VNR, cilado prej tyre të jetë më e ulët, vlerësimi i VNR duhet bërë në të njëjtën kohë kur bëhen vlerësimet e çmimit të shitjes, duke përdorur informacionet më të besueshme në dispozicion.

Në periudhën COVID-19 duhet të mbahen parasysh luhatjet në çmime ose kosto nëse ato kanë të bëjnë drejt për së drejti me ngjarjet pas datës së bilancit të gjendjes dhe me situatën e krijuar, të cilat nxjerrin në pah ngjarje që tashmë ekzistonin në fund të periudhë.

Në raste të caktuara kur rënia e VNR –së është shumë e madhe, duhet të shpjegohet ndarazi shkaqet ose natyra e shlyerjes nga librat.

Për të gjitha skenariot e lartëpërmendura kompanitë duhet të marrin parasysh nëse pasiguritë ekonomike dhe paqëndrueshmëritë e tregjeve do të kenë ndikim në vlerësimet në kontabilitet.

Përmbushja e Parimit të Vazhdimësisë (Going Concern)

Parimi bazë mbi të cilin përgatiten pasqyrat financiare sipas Kornizës Konceptuale është parimi i vazhdimësisë, i cili supozon se entiteti do të vazhdojë të operojë në një të ardhme të parashikueshme dhe se entiteti nuk ka as qëllimin e as nevojën të likuidojë ose të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme shkallën e operacioneve (aktiviteteve) të tij.

Ky koncept  supozon se, gjatë përgatitjes së një pasqyrave normale financiare, biznesi do të vazhdojë të operojë në mënyrë të ngjashme për të ardhmen e parashikueshme (të paktën 12 muajt e ardhshëm). Veçanërisht, supozohet se entiteti nuk do të likuidojë ose të shkurtojë në mënyrë të ndjeshme shkallën e operacioneve (aktiviteteve) të tij.

Tani më nënkuptohet që për disa biznese pas situatës COVID- 19  do të dalin në pah problemet me likuiditetin dhe përmbushjen e parimit të vazhdimësisë. Kjo vie për shkak të pasigurive të përcaktimit të ndikimit potencial, pasigurive materiale mbi aftësitë e biznesit që të operojë bazuar në parimin e vazhdimësisë.

Në këto raste pasqyrat financiare duhet të përgatiten sipas 'vlerës neto të realizueshme ose vlerës së likuidimit', që janë shumat me të cilat këto pasuritë dhe detyrimet përmbyllen nëse biznesi do të ndërpriste aktivitetin e tij.

Nëse kushtet jo të favorshme të tregut siç janë kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19, vetëm paraqesin indikacione se kompania mund dhe jo gjithsesi do të ketë probleme me parimin e vazhdimësisë, kjo gjë duhet të shpaloset në shënimet shpjeguese.

Në këto raste nevojitet gjykimi profesional dhe vlerësimi me kujdes të shtuar i kushteve të cilat janë shkaktuar nga pandemia COVID-19, për të vlerësuar aftësinë e biznesit nëse përmbush parimin e vazhdimësisë ose jo.

Nga të gjitha këto që u tha më lartë, përdoruesit e pasqyrave financiare, duke përfshirë edhe rregullatorët, presin që të përgatiten pasqyra financiare që paraqesin pamjen e drejtë dhe të sinqertë të bizneseve, si dhe  të paraqiten shpalosje të mjaftueshme dhe të nevojshme të efekteve potenciale në pasqyrat financiare nga COVID-19. Andaj, është detyrë e jona profesionale dhe morale që të mos i zhgënjejmë pritjet e përdoruesve dhe publikut të gjërë, gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare sipas SNRF-ve në situatën e krijuar nga pandemia e tanishme.