Udhëzues për çështjet e auditimit që rrjedhin nga pandemia Covid-19 (Korona Virusit)

2020-03-27 - 09:45

Artikull i publikuar nga: Këshilli i Raportimit Financiar (FRC)

ÇËSHTJET E AUDITIMIT QË RRJEDHIN NGA PASOJAT E PANDEMISË COVID-19

COVID-19 po shkakton një shok në ekonominë globale që mund të jetë i fuqishëm dhe i madh por duhet të jetë e përkohshëm* (Banka e Anglisë). Pasiguria në lidhje me perspektivën e menjëhershme për shumë kompani është rritur ndjeshëm. Kjo ka pasoja për kompanitë që pritet të raportojnë rezultatet financiare në muajt e ardhshëm, dhe për auditorët e tyre. Këshilli i Raportimit Financiar (FRC) ka botuar më parë udhëzime për kompanitë në lidhje me shpalosjen e rreziqeve dhe pasojave të tjera të raportimit që rrjedhin si rezultat i shfaqjes dhe përhapjes së COVID-19.

Disa kompani dhe auditorë po përballen gjithashtu me vështirësi praktike në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe kryerjen e auditimeve. FRC pret që kjo të ndikojë në mënyrën në të cilën firmat e auditimit kryejnë auditimin e tyre për ato kompani, duke pasur parasysh kufizime në udhëtime, takime dhe çasjen në objektet e kompanive në disa juridiksione dhe nevojën për të zhvilluar procedura alternative të auditimit për të mbledhur evidenca të mjaftueshme e të përshtatshme të auditimit.

FRC është e brengosur që situata aktuale nuk duhet të dëmtojë kryerjen e auditimieve me cilësi të lartë. Auditimet duhet të vazhdojnë të përputhen plotësisht me standardet e kërkuara. Në rrethanat aktuale, mund të kërkohet kohë shtesë për të përfunduar auditimet dhe është e rëndësishme që kjo të merret, madje edhe me rrezikun e vonimit të raportimit të kompanisë.

FRC aktualisht po zhvillon thirrje javore me firmat më të mëdha të auditimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të rrisë frekuencën nëse është e nevojshme. FRC po shqyrton në mënyrë aktive se cilat këshilla dhe udhëzime shtesë mund të jenë të nevojshme për të mbështetur profesionin e auditimit në kryerjen e auditimeve në muajt e ardhshëm.

Në këtë periudhë auditorët do të duhet të marrin në konsideratë ndikimin e COVID-19 në:

  • Vlerësimin e rrezikut të auditimit dhe nëse ai duhet të rishikohet;
  • Se si auditori mbledh evidenca të mjaftueshme e të përshtatshme të auditimit, duke pranuar që qasja e planifikuar e auditimit mund të ketë nevojë të ndryshohet, dhe procedurat alternative të zhvilluara, veçanërisht në angazhimet e auditimit në grup. Auditori duhet të jetë në gjendje të mbledhë evidencat e nevojshme për të qenë në gjendje të raportojë ose të marrë në konsideratë modifikimin e opinionit të auditimit;
  • Si propozon auditori i grupit të rishikojë punën e auditorëve të komponentëve për të përmbushur kërkesat e standardeve, duke përfshirë konsiderimin nëse procedurat alternative mund të përdoren: për shembull, ku udhëtimi është i kufizuar;
  • Vlerësimi i auditorit për vijimësinë dhe perspektivat e një kompanie të audituar, duke pasur parasysh që pasiguria në lidhje me ekonominë globale dhe perspektiva e menjëhershme për shumë kompani është rritur;
  • Përshtatshmëria e informacioneve shpjeguese të dhëna nga menaxhmenti në lidhje me ndikimin e COVID-19 në kompani, në mënyrë që përdoruesit e pasqyrave financiare të informohen siç duhet, dhe të përshkruhen perspektivat e kompanisë dhe si mund të ndikohe , duke njohur shkallën e lartë të pasigurisë; si dhe
  • Nevojën që auditori të rivlerësojë aspektet kryesore të auditimit si rezultat i situatave shpejtë të ndryshueshme, duke pasur parasysh që ky vlerësim do të bëhet deri në datën e nënshkrimit të raportit të auditorit, dhe mund të ketë nevojë për sigurimin e evidencave dhe informacioneve të mëtejshme nga menaxhmenti. Përderisa rrethanat e tanishme kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në kryerjen e punës së auditimit, auditori do të duhet të marrë parasysh si ta shpjegojë këtë punë në raportin e tyre, për shembull, duke e raportuar këtë si një çështje kryesore të auditimit.

Auditorët gjithashtu do të duhet të angazhohen me subjektet që ata auditojnë për të siguruar që:

  • Auditori ka përcaktuar pritshmëri të qarta sa i përket nivelit të shpalosjeve që ata presin të shohin në raportet vjetore për të komunikuar ndikimin dhe rrezikun e COVID-19 në kompani; dhe
  • Kompanitë, dhe veçanërisht komitetet e tyre të auditimit, e kuptojnë se është thelbësore që auditorët të kenë kohë dhe mbështetje të mjaftueshme për të kryer punën e tyre bazuar në standarde, duke përfshirë rivlerësimin e punës së bërë për të pasqyruar rrethanat e ndryshuara - në disa raste, kjo mund të ketë nevojë që kompanitë të rishikojnë afatet e raportimit. Kur auditorët nuk janë në gjendje të marrin evidenca të mjaftueshme e të përshtatshme të auditimit për të mbështetur opinionin e tyre, ata do të duhet të marrin parasysh nevojën për modifikimin e opinionit të tyre të auditimit.