Masat e ndërmarra – COVID 19

2021-04-10 - 01:00

Situata e shkaktuar nga pandemia e Covid 19 është duke ndryshuar çdo ditë, ne si SHKÇAK jemi duke monitoruar për së afermi impaktin e COVID 19 si në vend poashtu dhe në nivel global. Shëndeti dhe mirëqenia e anëtarëve të SHKÇAK është prioriteti ynë. 

Nga dita e parë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shëndetin publik, ne si Shoqatë kemi dërguar kërkesen tek Qeveria e Republikës së Kosovës për shtyerje të afateve të raportimit financiar vjetor në KKRF, deklarimit dhe pagesës së të gjitha tatimeve, dhe raportimit vjetor të OJQ-ve. 

Duke i përcjellur këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë dhe Qeverisë tonë, por edhe të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe Federatave Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Auditimti, shohim ndikimin që kjo gjendje ka shkaktuar në ekonomi dhe profesionin tonë.

Ne si Shoqatë do të vazhdojme të përcjellim zhvillimet dhe të ju informojmë në kohë.

1) Shtyrja e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të ndërmarrjeve

Më 18.03.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Vendimin për shtyrjen e afatit deri më 30 QERSHOR, 2020, të dorëzimit të deklaratave dhe pasqyrave financiare vjetore të të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë në Këshillin Kosovar për Raportim Financiar (KKRF). 

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

2) Shtyrja e deklarimit dhe pagesës së tatimeve

Më 20.03.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Vendimin për shtyrje të afatit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve deri më 30.04.2020, përfshirë edhe trajtimin e kërkesave për rimbursim të tatimeve.

Llojet e deklaratave tatimore të cilave ju është shtyrë data e deklarimit dhe pagesës janë listuar si në vijim:

Lloji i tatimit/kontributit Shkurtesa Periudha tatimore
Tatimi i mbajtur në burim dhe pagesa e tatimit WR 03/2020
Kontributet për pension dhe pagesa e pensioneve CM 03/2020
Tatimi i mbajtur në burim për interes, qira, etj. WR 03/2020
Deklarata dhe pagesa e TVSH-së TV 02/2020 dhe 03/2020
Deklarata vjetore e Tatimit në të Ardhura Personale PD 2019
Deklarata vjetore e Tatimit në të Ardhura të Korporatave CD 2019
Deklarata vjetore për Ortakëritë DO 2019
Kërkesa për rimbursim TV 02/2020, 03/2020
Pasqyra tremujore e tatimit në fitim dhe kontributeve IL TM1/2020

Pasqyra tremujore e tatimit në fitim dhe kontributeve për bizneset e mëdha dhe vogla

IL, IS TM1/2020

Pasqyra tremujore e tatimit në fitim dhe kontributeve për korporatat e mëdha dhe të vogla

QL, QS TM1/2020
Raportimi i transaksioneve mbi 500 EURO   2019

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

3) Shtyrja e dorëzimit të pasqyrave financiare vjetore të OJQ-ve

Më 19.03.2019, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) njoftoi qytetarët se është nënshkruar vendimi që të shtyhet deri në 30 QERSHOR 2020 afati për dorëzimin e raporteve për raportim financiar dhe të veprimtarisë për OJQ-të me status për përfitim publik, i përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 38 të Ligjit Nr. 06/L- 043 për lirinë e asocimit në Organizata Joqeveritare.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

4) Lirimi nga TVSH gjatë importit të miellit dhe grurit

Më 23.03.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Vendimin për lirim të përkohshëm nga pagesa e TVSH-së për importet e grurit dhe miellit, për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

5) Shtyrja e afatit për pagesë të tatimin në pronë

Më 23.03.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të parë të tatimit në pronë deri më 30.06.2020.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

6) Masat tjera të përgjithshme

Më 13.03.2020, Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar Vendimin në lidhje me:

  • Ndalimin e transportit brenda Kosovës si dhe transportit të organizuar ndërkombëtar;
  • Mbylljen e kufijve tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, përveç për udhëtarët rezident të Kosovës;
  • Ndalimin e transportit brenda Kosovës si dhe transportit të organizuar ndërkombëtar;
  • Ndalimin e të gjitha linjave të udhëtimit ajror në aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake apo emergjente;
  • Ndalimin e operimit të kafiterive, bareve, restoranteve, pabeve, qendrave tregtare, me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;
  • Ndalimin e të gjitha aktiviteteve sportive, kulturore, e të ngjashme;
  • Ndalimin e tregjeve të kafshëve dhe automjeteve;
  • Urdhërohen kompanitë private që sipas mundësive, të kryejnë aktivitetet e tyre nga shtëpia (punë në distancë);

7) Pakoja emergjente për bizneset

Më 27.03.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Pakon Emergjente Fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në vijim janë përmbledhur pikat e kësaj pakoje:

1. Fokusi i parë i masave të qeverisë shkon drejt përfituesve të skemave sociale, të cilët me shumë vështirësi sigurojnë mbijetesën dhe kryesisht janë të përfshirë në grupin e shoqërisë që përballen me varfëri ekstreme. Në muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të përfshirë në këtë skemë, kanë marrë një asistencë shtesë mujore, që në tërësi kap vlerën e 2.55 milionë euro. Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në vijim, duke e ngritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.

2. Një numër i madh i përfituesve të skemave pensionale, përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro. Për të gjithë këta përfitues, qeveria e Republikës së Kosovës, në 3 muajt në vijim do të ndaj 30 euro shtesë në baza mujore. Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e skemës së pensioneve bazike, pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjare (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta). Po ashtu do të përfshihen përkohësisht në skema dhe do të përfitojnë të gjithë ata të cilët nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020. Kjo nënkupton në total 13 milionë euro shtesë.

3. Një numër i kompanive të vendit ka shënuar rënie të të hyrave nga ushtrimi i veprimtarisë në dy javët e fundit, dhe një trend i tillë pritet të vazhdojë edhe në muajin prill. Si rrjedhojë, punëdhënësit pritet të kenë vështirësi në mbulimin e një sërë shpenzimesh. Disa nga shpenzimet e pritshme dhe me rëndësi në bilancet e kompanive përbëjnë shlyerjen e obligimeve tatimore dhe detyrimeve ndaj sistemit bankar. Me vendime të Qeverisë dhe Bankës Qendrore, këto shpenzime janë shtyrë për një periudhë të caktuar kohore. Por mbeten ende si barrë shpenzimet për paga dhe ato për qera, në rastet kur operatorët ekonomik veprojnë në objekte që nuk i kanë në pronësi. Qeveria e Kosovës do të mbështetë me pakon emergjente, komunitetin e biznesit më së shumti në këto dy komponente. Për ato kompani që kanë shënuar rënie të veprimtarisë së tyre si rezultat i masave të qeverisë ose janë detyruar të mbajnë stafin e tyre në shtëpi, qeveria ka vendosur që të asistojë me këto tri ndërhyrje:

a. Mbulimin e shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove;

b. Subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove;

c. Për punëtorët e ndikuar dhe që përfitojnë nga pika “a”, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm, në masën e 8 milionë eurove.

4. Kompanitë që kanë shënuar rënie të përkohshme të të hyrave të rregullta si rezultat i kufizimeve në lirinë e lëvizjes, pezullimit të ofrimit të disa shërbimeve nga sektori publik apo deklarimeve të papërgjegjshme të zyrtarëve qeveritar (kryesisht, por jo vetëm, ndërmarrjet publike që ofrojnë shërbimet komunale apo ndërmarrjet në pronësi private por që ofrojnë shërbime bazike), mund të kërkojnë likuiditet të përkohshëm nga qeveria në masën e nevojshme për të mbajtur operimin e rregullt të veprimtarisë, shumë këtë të cilën janë të detyruar t’ia kthejnë shtetit pas stabilizimit të operimit, por jo më larg se deri në fund të dhjetorit të vitit 2020. Në këtë masë, qeveria alokon 20 milionë euro, dhe mjetet e alokuara bartin zero interes vjetor.

5. Në përballjen me pandeminë, një barrë e madhe organizative ka rënë edhe mbi pushtetin lokal. Në masë të madhe, komunat kanë akomoduar nevojën e intervenimeve shtesë dhe emergjente, përmes përshtatjeve të brendshme buxhetore dhe zvogëlimit të mjeteve të dedikuara për shpenzime kapitale. Në rast të zgjatjes së mëtejme të kufizimeve në lirinë e lëvizjes dhe zgjerimit eventual të kufizimeve, komunat do të kenë nevojë për mbështetje shtesë financiare. Në këtë kontekst, Qeveria do të sigurojë financim shtesë për komunat më të prekura në masën e 10 milionë eurove.

6. Stafi mjekësor dhe ai i policisë e zjarrfikësvedo të shërblehen shtesë në masën fikse prej 300 eurove për secilin nga dy muajt në vijim. Për këtë qëllim do të ndahen 15 milionë euro.

7. Punëmarrësit e marketeve ushqimore, furrave dhe farmacive që kanë punuar rregullisht duke siguruar furnizim të amvisërive me nevojat ushqimore dhe shëndetësoreQeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë këta punonjës do të ndaj nga një pagesë shtesë në masën e 100 eurove për dy muajt në vijim. Për këtë masë do të ndahen 3 milionë euro.

8. Qeveria e Kosovës, në fazën e dytë të intervenimit në ekonomi do të përdorë stimuj fiskal që do të favorizojnë ato kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore në këtë periudhë të krizës, që fillojnë prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet. Por megjithatë në këtë situatë mund të ketë ndërmarrje që nuk mund ta evitojnë largimin e një pjese të punëtorëve nga puna. Për ata punëmarrës që humbin punën përgjatë kësaj periudhe, Qeveria e Kosovës merr përsipër pagesën e një asistence mujore në masën e 130 euro për 3 muajt e ardhshëm. Maksimumi i shumës së alokuar në këtë masë do të jetë 4 milionë euro.

9. Qeveria e Republikës së Kosovës ndanë një shumë prej 2 milionë eurosh për iniciativa dhe projekte që targetojnë përmirësimin e kushteve të minoriteteve që janë goditur më shumë nga pandemia.

10. Do të përpilohet një pako përmes së cilës mikro-kompanitë dhe të vetë punësuarit mund të sigurojnë likuiditet financiar (për një periudhë maksimale prej 24 muajsh, dhe shumë maksimale prej 10.000 eurosh), me ç’rast Qeveria do të merr përsipër mbulimin e kostos së kredisë. Për këtë masë do të ndahen 15 milionë euro.

11. Është rritur buxheti për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.

12. Buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është rritur për 5 milion Euro shumë kjo që do të përdoret për subvencionim shtesë të shoqatave sportive e kulturore të vendit.

13. Menjëherë pas përfundimit të pandemisë, vendi do të ketë nevojë shumë edhe për rritjen e nivelit të eksporteve. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të sigurojë 10 milionë euro për mbështetje të eksportuesve, të cilët do të përfitojnë në raport me shtimin e vëllimit të tyre të eksporteve.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

8) Pezullimi i përkohshëm i disa masave tarifore ndaj importit të miellit.

Më 23.03.2020, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike e Republikës së Kosovës ka publikuar Vendimin për pezullimin e përkohshëm të disa masave tarifore ndaj importit të miellit. Pezullimi vlen nga sot deri më 30 prill 2020, dhe ka për synim të sigurojë furnizimin e rregullt me miell gjatë emergjencës së shëndetit publik lidhur me pandeminë e sëmundjes së koronavirusit (COVID-19).

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

9) Aprovohet Pakoja Emergjente Fiskale

Më datë 30.03.2020, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka publikuar Vendimin për aprovimin e Pakos Emergjente Fiskale.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

10) Aprovohet Plani Operacional për Pakon Fiskale Emergjente

Më datë 03.04.2020, Ministria e Financave dhe Transfereve ka publikuar Vendimin për aprovimin e Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, ku sipas këtij vendimi obligohen të gjitha institucionet dhe njësitë përkatëse të propozojnë vendimet shtesë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e Planit Operacional për Implementimin e Pakos Fiskale Emergjente.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

11) Masat e ndërmarra nga BQK

Me datë 3 prill 2020 Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka  prezantuar masat e ndërmarra nga BQK për tejkalimin me më pak dëme në ekonomi nga pandemia COVID 19.

Masat e ndërmarra nga Banka Qendrore e Kosovës përfshijnë:

  • Sigurimin e funksionimit të rregullt të sistemit të pagesave në mbarë Kosovën;
  • Dezinfektimin e rregullt te të gjitha parave me të cilat BQK furnizon tregun, si masë mbrojtëse për shfrytëzuesit e parave të gatshme;
  • Të gjithë huamarrësit që po hasin në vështirësi të realizimit të të hyrave si pasojë e krizës pandemike kanë të drejtë të aplikojnë në bankat e tyre për lejimin e një periudhë mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020, dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet. Në rast të miratimit të një kërkese të tillë nga banka, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë;
  • Ndërmarrjen e të gjitha masave të duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive si kredi joperformuese në Regjistrin e Kredive dhe mos aplikimin e provizionit shtesë për huamarrësit të cilët kërkojnë shtyrje të afatit të pagesës për shkak të vështirësive financiare si rezultat i pandemisë.

 

Për të qasur masat e ndërmarra nga BQK, klikoni Këtu

12) Njoftim nga ATK për përfitimin nga Pakoja Fiskale Emergjente

Me datë 11.04.2020 - bazuar në vendimin e Ministrit të Financave dhe Transfereve, datë 03.04.2020, lidhur me aprovimin e Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente dhe obligimin e institucioneve për zbatimin e këtij Plani, Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se ka bërë përgatitjet dhe tashmë punëdhënësit dhe qiramarrësit mund të parashtrojnë kërkesat e tyre për të përfituar nga kjo pako.

Sipas Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, personat të cilët do të përfitojnë sipas Masave, si: 3a; 3b; 8 dhe 14, kërkesat e tyre do t’i dërgojnë përmes Sistemit Elektronik EDI, më së largu deri më 15 maj 2020.

Për të qasur Njoftimin e plotë, klikoni Këtu

13) Njoftim mbi mënyrën e shkarkimit të formës on-line për lëvizje të lirë (çertifikatës në atk) -  azhurnuar më: 15/04/2020

Me datë 15.04.2020 - Referuar vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eleminimin e sëmundjes ngjitëse në komuna të Kosovës, të 14 prill 2020, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka publikuar njoftimin për masat për mbarëvajtjen e operatorëve ekonomik.

Për të qasur Njoftimin e plotë, klikoni KËTU

14) Njoftim nga Administrata Tatimore e Kosovës mbi  Mundësimin e kompensimit për të Vetëpunësuarit, Pagat dhe Qiratë e paguara

Me datë 18.04.2020 - Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se ka zhvilluar Sistemin Elektronik EDI për të mundësuar edhe parashtrimin e kërkesave për të përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente, si:

  • Të vetëpunësuarit,
  • Punëdhënësit, të cilët i kanë paguar pagat e punëtorëve për periudhën Mars/2020, dhe
  • Qiramarrësit, të cilët i kanë paguar qiratë

Për të qasur Njoftimin e plotë, klikoni KËTU

15) Njoftim nga Administrata Tatimore e Kosovës mbi  pagesën shtesë për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve

Me datë 19.04.2020 - Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se ka zhvilluar Sistemin Elektronik EDI për të mundësuar edhe parashtrimin e kërkesave për të përfituar nga Pakoja Fiskale Emergjente për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave të bukës dhe barnatoreve, të cilët ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin gjatë punës së bërë.

Për të qasur Njoftimin e plotë, klikoni KËTU

16)  Zgjatet deri më 30 Qershor 2020 afati për pagesën e tatimeve

Me datë 27.04.2020 - Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 01/07 dhe 01/09 të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus COVID 19, ka marr vendim që të zgjatet deri më 30 Qershor 2020 afati për pagesën e tatimeve.

Për të qasur Vendimin, klikoni KËTU

17) Zgjatet afati për pagesën e obligimeve tatimore për këto lloje të tatimeve/kontributeve

Me datë 29.04.2020 - Me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 01/07 dhe 01/09 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve të datës 24.04.2020, për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus – COVID 19, Administrata Tatimore e Kosovës, ju njofton se zgjatet afati për pagesën e detyrimeve tatimore dhe kontributeve pensionale sipas llojeve si më poshtë, deri më 30 Qershor 2020.

Afati për pagesën e detyrimeve tatimore zgjatet deri më 30.06.2020, për këto lloje të tatimeve/kontributeve dhe këto periudha tatimore:

Lloji i Tatimit/Kontributit - Formulari Shkurtesa Periudha
Pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e mëdha individuale IL TM1/2020
Pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për korporatat e mëdha QL TM1/2020
Pasqyra tremujore e tatimit dhe kontributeve për bizneset e vogla individuale IS TM1/2020
Pasqyra tremujore e pagesës paradhënie për korporatat e vogla QS TM1/2020

Për të gjitha llojet e tjera të tatimeve afati për deklarim, raportim dhe pagesë përfundon me datën 30 Prill 2020 sipas Vendimit paraprak Nr. 26/2020 i datës 19.03.2020, i nxjerr nga Ministri i Financave dhe Transfereve.

Për të qasur Vendimin, klikoni Këtu

13) Njoftim mbi mënyrën e shkarkimit të formës on-line për lëvizje të lirë (çertifikatës në atk) -  azhurnuar më: 02/05/2020

Me datë 02.05.2020 - Referuar vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eleminimin e sëmundjes ngjitëse në komuna të Kosovës. Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka publikuar njoftimin për masat për mbarëvajtjen e operatorëve ekonomik.

Për të qasur Njoftimin e plotë, klikoni Këtu