Covid-19 dhe Efekti në Auditim dhe Raportim Financiar në Kosovë

2020-03-29 - 11:59

Artikull i shkruar nga: Dr.Sc. Arbër HOTI, AC dhe M.Sc. Liridona SOPA

 

I. Hyrje

Me përhapjen e pandemisë COVID-19, thuajse e gjithë bota ka kufizuar lëvizshmërinë e njerëzve me qëllim që të parandalohet përhapja edhe me e madhe e virusit. Kjo pandemi nuk e ka kursyer as vendin tonë. Që nga mesi i muajit Mars 2020, qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh të ndaloj përkohësisht operimin e shumë veprimtarive ekonomike (arsimin, hotelerinë, ndërtimtarinë, etj.)

Kjo krizë pritet të ketë efekte të rëndësishme ekonomike për ndërmarrjet, qoftë për shkak të kufizimeve në prodhim, tregti dhe konsum, ose për shkak të ndalimeve të qarkullimit. Rrjedhimisht, këto efekte ekonomike kanë ndikim edhe në fushën e kontabilitet, raportim financiar dhe auditim apo rishikimit të pasqyrave financiare të këtyre ndërmarrjeve.

Ndërmarrjet dhe auditorët po përballen me vështirësi praktike në përgatitjen e pasqyrave financiare dhe kryerjen e auditimeve. Kjo do të ndikojë në mënyrën se si firmat e auditimit do të auditojnë ato ndërmarrje, duke pasur parasysh udhëtimin gjithnjë e më të kufizuar dhe ndalimin e takimeve në grupe. Auditorët këshillohen të diskutojnë me klientët e tyre rreth ndikimit të korona virusit në ndërmarrje, në operimin e tyre, kohën e raportimit dhe kohën e auditimit, duke përfshirë planet e tyre përkatëse të emergjencës. Ekziston rreziku i vonesave, sepse ndërmarrjet mund të vonohen në përgatitjen e informacionit financiar.

Në varësi të mënyrës dhe shkallës në të cilën ndërmarrjet janë ndikuar nga COVID-19, procedurat e planifikuara të auditimit nuk mund të jenë më të afta të sigurojnë evidencat e parashikuara të auditimit, duke kërkuar që auditorët të bëjnë modifikime në qasjet e tyre të auditimit.

Auditorët gjithashtu mund të zbulojnë se ata duhet të kryejnë procedura shtesë për të vlerësuar përshtatshmërinë e vlerësimit të menaxhmentit për aftësinë e ndërmarrjeve për vijimësi, çdo dëmtim të pasurive që rrjedhë si rezultat  i drejtpërdrejtë i ndikimit të COVID-19 ose ndikimi indirekt i pasigurisë në ndërmarrje dhe mjedisin ekonomik.

II. Sfida e Kontabilistëve dhe Auditorëve Kosovarë

Sfidë e veçant për kontabilistët dhe auditorët Kosovar këtë vit, janë kërkesat e reja ligjore të cilat rrjedhin nga Ligji Nr. 06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim e të cilat do të implementohen për herë të parë këtë vit, në lidhje me pasqyrat financiare të vitit kontabël 2019

Duke pasur parasysh gjendjen e jashtëzakonshme me të cilën po përballen ndërmarrjet vendore, Ministria e Financave dhe Transfereve ka marrë vendim që të shtyjë datën e dorëzimit të pasqyrave financiare dhe dorëzimin e raporteve të auditmit apo rishikimit, deri më 30 Qershor 2020.

Standardet e raportimit si Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) duhet të respektohen plotësisht pa marrë parasysh gjendjen ekonomike.

Ndërmarrjet e mëdha dhe subjektet tjera me interes publik, duhet të marrin në konsideratë nëse do t'i referohen ndikimit të mundshëm të korona virusit, kur ato raportojnë rreziqet kryesore dhe paqartësitë në raportin e tyre të menaxhmentit. Në parim, ata duhet ta raportojnë këtë implikim kur zhvillimet e mundshme mund të çojnë në devijime negative nga parashikimet e fillestare të ndërmarrjes.

Kërkesa e përgjithshme e Pasqyrës së pozitës financiare është të  pasqyrojë pozicionin financiar në fund të periudhës së raportimit, përkatësishtë më 31 dhjetor 2019. Prandaj, për ndërmarrjet në Kosovë, shfaqja e korona virusit është një ngjarje jo-rregulluese, pasi shpërthimi i pandemisë së korona virusit ndodhi në mes të muajit Mars 2020.

Natyra e çdo ngjarje materiale jo-rregulluese dhe një vlerësim i efektit financiar të saj duhet të zbulohet në shpalosjet e pasqyrave financiare vjetore. Prandaj, kontabilistët gjatë përgatitjes së pasqyrave financiare duhet të marrin në konsideratë ndikimin e korona virusit në biznesin e tyre, i cili do të ndryshojë në varësi të rrethanave specifike në të cilat operon ndërmarrja. Kjo nënkupton që shpalosjet duhet të implikojnë ndikimin e mundshëm në periudhën e ardhshme të raportimit.

Në hartimin e raportimit vjetor në seksionin "Ngjarjet pas përfundimit të periudhës së raportimit", tek e cila shpalosen të gjitha ngjarjet deri në datën kur pasqyrat financiare janë të autorizuara për publikim, është shumë e rëndësishme që Kontabilistët të shpalosin çartë këto ngjarje dhe implikimet e tyre në vijimësinë e ndërmarrjes.

III. Efektet e pandemisë në auditimet dhe rishikimet e pasqyrave financiare për vitin kontabël të përfunduar më 31.12.2019

Pajtueshmëria me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) dhe Standardin Ndërkombëtarë për Angazhimet e Rishikimit (ISRE), duhet të vazhdojë plotësisht, edhe nën presionin e afateve të ndryshuara për çdo auditim apo rishikim të pasqyrave financiare vjtetore

Meqenëse situata aktuale është shumë jostabile, Auditorët duhet ti kushtojnë vëmendje të veçantë vlerësimit të rrezikut të auditimit dhe nëse kjo duhet të rishikohet për shkak të kërcënimit të rreziqeve të reja të rëndësishme, për shembull likuiditetit të ndërmarrjes dhe parimit të vijimësisë. Udhëzime më të detajuara lidhur me vlerësimin e rrezikut mund të gjenden në SNA (ISA) 315 Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve të anomalive materiale.

Auditorët gjithashtu duhet të marrin në konsideratë se si të sigurojnë evidenca të mjaftueshme e të përshtatshme të auditimit. Duke pasur parasysh situatën aktuale, mund të ketë nevojë të ndryshohet edhe qasja e auditimit dhe të zhvillohen procedura alternative. Evidenca e punës në auditim vazhdon të jetë thelbësore, në mënyrë që auditori të jetë në gjendje të raportojë ose të marrë në konsideratë modifikimin e opinionit të auditimit. SNA 500 Evidenca në auditimi ofron detaje të mëtejshme.

Para formimit të opinionit të auditimit, auditorët duhet të marrin parasysh vështirësitë që menaxhmenti mund të ketë në përgatitjen e parashikimeve të ardhshme, duke njohur situatën tejet të pasigurt dhe jo-stabile. Parashikime të tilla mund të ndryshojnë dukshëm në një interval ​​të shkurtër kohore, andaj është thelbësore që auditori të përdor gjykimin profesional dhe skepticizmin. Auditorët duhet të ushtrojnë kujdes të veçantë që të sigurohen që çdo parashikim pasqyron situatën në kohën kur do të nënshkruhet një raport auditimi. Për më shume detaje referohuni tek SNA 560 Ngjarjet pasuese.

Auditori duhet të sigurohet që shpalosjet e menaxhmentit përshkruajnë siç duhet të ardhmen e ndërmarrjes dhe si mund të preken përdoruesit e pasqyrave financiare duke njohur shkallën aktuale të lartë të pasigurisë. Auditorët gjithashtu duhet të marrin parasysh përgjegjësitë e tyre në lidhje me informacionet e tjera të paraqitura nga menaxhmenti në pasqyrat financiare. Kjo është e mbuluar në SNA 720 Përgjegjësitë e auditorit në lidhje me informacione të tjera.

Gjatë hartimit të opinionit të auditimit, Auditorët duhet të kenë parasysh implikimet e ngjarjeve aktuale në raportin e auditorit. Më poshtë jepen disa sugjerime në hartimin e Raportit të Auditimit duke pasur parasysh efektin e mundëshm të ngjarjeve aktuale në pasqyrat financiare:

  • Për subjektet me interes publik, sugjerohet të përfshihet paragrafi i çështjeve kyçe të auditimit (KAM) në të cilin do të jepej informacion i detajuar në lidhje me punën shtesë të auditimit të nevojshme për shkak të përhapjes së korona virusit. Për shembull, për të përshkruar qasjen për auditimin, të shpjegohet që nuk është identifikuar ndonjë anomali materiale ose nuk ka ndonjë paqartësi lidhur me vijimësinë.
  • Në Raportin e auditimit të vendoset një paragraf "theksi i çështjes", për shembull për të nxjerrë në pah një ngjarje të rëndësishme të mëvonshme të shpalosur në pasqyrat financiare, ose një pasiguri të rëndësishme që lind nga përhapja e pandemisë.
  • Të kualifikohet opinioni, ose të lëshohet një opinion i kundërt, për shembull për shkak të shpalosjeve të papërshtatshme, ose pasigurisë lidhur me vijimësinë, në pasqyrat financiare.
  • Të kualifikohet opinion, ose të mohohet  opinionit, nëse auditori has në kufizim të fushëveprimit, nuk janë në gjendje të marrin evidenca të mjaftueshme e të përshtatshme të auditimit.

IV. Situatat e paparashikuara

Në çoftë se auditimi nuk mund të kryhet fare, për shembull, si pasojë e mbylljes së ndërmarrjes apo auditori i angazhuar sëmuret, atëherë rekomandohet që të kontaktohet Këshilli Kosovarë për Raportim Financiar - KKRF për këshilla lidhur me hapat e mëtutjeshme.