Kriza e koronavirusit: Efektet e mundshme në raportim dhe auditim

2020-03-27 - 08:47

Artikull i publikuar nga: Accountancy Europe

Pandemia e koronavirusit (SARS-CoV-19) vazhdon të përhapet në shumë vende, përfshirë Evropën. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe autoritetet kombëtare mund të konsultohen për efektet shëndetësore te njerëzit. Kjo krizë gjithashtu ka efekte të rëndësishme ekonomike për kompanitë, për shembull për shkak të kufizimeve në prodhim, tregti dhe konsum, ose për shkak të ndalimeve të udhëtimit.

Këto efekte ekonomike kanë një ndikim në kontabilitetin, raportimin dhe auditimin e pasqyrave financiare të kompanive ose palëve të interesuara. Ky publikim nxjerr në pah disa nga këto ndikime të mundshme. Sidoqoftë, ndikimi do të ndryshojë dhe kompanitë me auditorët e tyre, duhet të marrin parasysh se si ndikon kjo në biznesin e tyre dhe t'i rishikojnë ato rregullisht. Zhvillimi i mëtejshëm, kohëzgjatja dhe ndikimi i koronavirusit nuk mund të parashikohen. Në çdo rast, kontabilistët dhe auditorët duhet t'i njoftojnë ndërmarrjet për nismat e ndryshme kombëtare për lehtësimin e tyre.

Më poshtë shqyrtojmë efektet e koronavirusit në:

  • kontabilitet dhe raportim për kompanitë në 31 Dhjetor 2019
  • kontabilitetidhe raportim për kompanitë me fundvit të 2020
  • auditimin e pasqyrave financiare në 31 Dhjetor 2019 dhe më tutje
  • çështje praktike për auditimin e pasqyrave financiare

Efektet në kontabilitet dhe raportim për kompanitë më 31 Dhjetor 2019

Standardet e raportimit si Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe Parimet  e Kontabilitetit të Pranuara Përgjithësisht (GAAP) duhet të respektohen plotësisht. Për më tepër, kompanitë duhet të bëjnë të pamundurën për t'iu përgjigjur në një mënyrë të arsyeshme dhe praktike, sfidave aktuale të kontabilitetit dhe raportimit të shkaktuara nga koronavirusi.

Reflektimi mbi kushtet ekzistente ne datën e bilancit

Në 31 Dhjetor 2019, Kina kishte paralajmëruar Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) për disa raste të një forme të pazakontë të pneumonisë në Wuhan. Sidoqoftë, informacioni thelbësor në lidhje me atë që tani është identifikuar si koronavirus  nuk doli në dritë deri në fillim të vitit 2020.

Çështja e Vijimësisë

Kompanitë e prekura negativisht nga koronavirusi, si bizneset e vogla ose ato në fushat e udhëtimit, pushimit dhe mikpritjes dhe aviacionit, duhet të marrin në konsideratë problemet lidhur me vijimësinë. Ata duhet të konsiderojnë drejtimin e disa analizave të mundshme të ndjeshmërisë për të përcaktuar nëse ka ndonjë pasiguri materiale mbi aftësinë e saj për të vazhduar biznesin në vijim. Kjo mund të rezultojë në shpalosje shtesë, veçanërisht nëse ekziston një pasiguri materiale. Në disa rrethana mund të jetë e nevojshme të shqyrtohet nëse është e përshtatshme të përgatisni llogaritë mbi bazën e vijimësisë. Për këtë, kompania duhet të marrë parasysh të gjitha informacionet e disponueshme në lidhje me ndikimin në tregtinë në të ardhmen. Sa i përket kornizës kohore, duhet të merren parasysh të paktën dymbëdhjetë muajt e parë pas datës së bilancit, ose pas datës së nënshkrimit të pasqyrave financiare. Por rekomandohet një afat kohor edhe më i gjatë. Ky vlerësim i çështjes së vijimësisë duhet të azhurnohet vazhdimisht deri në datën e miratimit të pasqyrave financiare.

Ngjarjet e pakorrigjueshme pas datës së Bilancit

Kërkesa e përgjithshme është që bilanci të pasqyrojë pozicionin në fund të periudhës së raportimit. Prandaj, për kompanitë në Evropë me fundvit 31 Dhjetor 2019, shfaqja e koronavirusit është një ngjarje e pakorrigjueshme, pasi përhapja masive ndodhi në mes të Janarit 2020.

Natyra e çdo ngjarje të pakorrigjueshme materiale dhe vlerësimi i efektit financiar të saj duhet të shpaloset me anë të shënimeve shpjeguese. Prandaj, kompanitë duhet të marrin në konsideratë ndikimin e koronavirusit në biznesin e tyre, i cili do të ndryshojë në varësi të rrethanave specifike në të cilat operon. Shpalosjet duhet të qartësojnë ndikimin e mundshëm në periudhën e ardhshme të raportimit.

Shpalosjet e informacioneve shpjeguese të mëtutjeshme në raportin e menaxhimit

Kompanitë duhet të shqyrtojnë nëse duhet t'i referohen ndikimit të mundshëm të koronavirusit kur raportojnë rreziqet kryesore dhe paqartësitë në raportin e menaxhimit. Në parim, ata duhet ta raportojnë kur zhvillimet e mundshme mund të çojnë në devijime negative nga parashikimet e kompanisë.

Rishikimi i periudhës pas datës së Bilancit

"Ngjarjet pas përfundimit të periudhës së raportimit" përfshijnë të gjitha ngjarjet deri në datën kur janë autorizuar pasqyrat financiare. Është e rëndësishme të përfshihet një rishikim gjithëpërfshirës pas datës së bilancit në planin raportues të fundvitit.

Efektet në kontabilitet dhe raportim për kompanitë në fund-vit në 2020

Ndërsa vazhdojmë në vitin 2020, më shumë informacione po dalin në dritë mbi shkallën dhe ndikimin e koronavirusit. Mund të kërkohet një shkallë më e madhe gjykimi kur të përcaktoni kushtet në datat e bilancit pas vitit 2019, dhe për këtë arsye të vlerësoni nëse zhvillimet janë ngjarje të korrigjueshme apo të pakorrigjueshme. Koronavirusi është zakonisht një ngjarje korrigjuese për çdo periudhë raportimi që përfundon nga 31 janari 2020.

Kompanitë do të duhet të rishikojnë, përveç çështjes së vazhdimësisë, të gjitha fushat e llogarive që janë objekt i gjykimit dhe vlerësimit të pasigurisë, përfshirë:

  • vlerësimet e kontabilitetit [1]
  • matjet e vlerës së drejtë
  • zhvlerësimi i pasurive
  • vlerësimet e pritura të humbjes së kredisë
  • kontabiliteti mbrojtës
  • kërkesa të tjera të deklarimit të pasqyrave financiare.

Ndikimi i shkeljeve të marrëveshjeve, dispozitave të kontratave të mëdha dhe planeve të ristrukturimit gjithashtu meritojnë konsideratë.

Efektet në auditimin e pasqyrave financiare që nga 31 Dhjetori 2019 dhe më tutje

Pajtueshmëria me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA) duhet të vazhdojë plotësisht, edhe nën presionin e afateve të ndryshuara. Për më tepër, auditorët duhet të bëjnë një hap mbrapa dhe të konsiderojnë të kërkojnë më tej për t'iu përgjigjur sfidave të veçanta të auditimit që shkakton koronavirusi për kompanitë dhe raportimin e tyre.

Ndikimi i koronavirusit në vlerësimin e rrezikut të një auditori për një kompani.

Vlerësimi i rrezikut nga auditori dhe nëse kjo duhet të rishikohet për shkak të kërcënimit të rreziqeve të reja të rëndësishme, për shembull likuiditetin e kompanisë. Meqenëse situata aktuale është shumë e ndryshueshme, do të duhet të rishikohet vazhdimisht gjatë auditimit. Udhëzime të mëtejshme mund të gjenden në SNA/ISA 315 Identifikimi dhe vlerësimi i rreziqeve të anomalisë materiale.

Mbjedhja e materialeve të auditimit

Auditorët duhet të marrin në konsideratë se si të mbledhin prova të mjaftueshme adekuate të auditimit. Në këtë, auditorët duhet të pranojnë se mund të kenë nevojë të ndryshojnë qasjen e auditimit dhe të zhvillojnë procedura alternative, veçanërisht në angazhimet e auditimit në grup me filialet në të cilat qasja është e kufizuar. Kjo vazhdon të kërkohet për të mundësuar raportimin ose të merret në konsideratë modifikimi i opinionit të auditimit. Auditori duhet të parashikojë përdorim më të madh të teknologjisë në shkëmbimin e të dhënave ose mbajtjen e takimeve virtuale. SNA/ISA 500 Provat e Auditimit japin detaje të mëtejshme.

Ndikimet e mundshme në vlerësimin e auditorit për çështjen e vijimësisë

Ky padyshim që do të jetë një fokus kryesor i shumë auditimeve të tanishme dhe të ardhshme duke pasur parasysh që pasiguria në lidhje me ekonominë globale dhe perspektivën është rritur për shumë kompani. SNA/ISA 570 për Vijimësinë mbetet i zbatueshëm.

Për shembull, vlerësimi i menaxhmentit për çështjen e vijimësisë mund të duhet të përfshijë:

  • azhurnimin e parashikimeve dhe ndjeshmërisë sipas nevojës, duke marrë parasysh faktorët e rrezikut të identifikuar dhe rezultatet e ndryshme të mundshme
  • rishikimin e përputhshmërisë së parashikuar të marrëveshjeve në skenarë të ndryshëm
  • ndryshimin e planeve të menaxhimit për veprimet e ardhshme
  • zgjerimin e shpalosjeve të shënimeve shpjeguese

Ndikimi i perspektivave të ardhshme të kompanisë në raportin e auditorit

Auditori duhet të marrë parasysh vështirësitë që menaxhmenti mund të ketë në përgatitjen e parashikimeve të ardhshme, duke njohur situatën tejet të pasigurtë dhe të ndryshueshme. Në të vërtetë, parashikime të tilla mund të ndryshojnë dukshëm në një hapësirë ​​të shkurtër kohore. Është thelbësore që auditori të përdor gjykimin profesional dhe skepticizmin. Ata duhet të ushtrojnë kujdes për të siguruar që çdo parashikim pasqyron situatën si dhe kur, do të nënshkruhet një raport auditimi. Shikoni SNA/ISA 560 Ngjarjet e mëvonshme për më shumë detaje.

Konsideroni mjaftueshmërinë e shpalosjeve të menaxhmentit në lidhje me ndikimin e koronavirusit

Auditori duhet të sigurojë që shpalosjet e menaxhmentit përshkruajnë si duhet perspektivën e kompanisë dhe si mund të preken përdoruesit e pasqyrave financiare. E gjithë kjo ndërsa njeh shkallën aktuale të lartë të pasigurisë. Auditorët gjithashtu duhet të marrin parasysh përgjegjësitë e tyre në lidhje me informacionet e tjera të paraqitura nga menaxhmenti me pasqyrat financiare. Kjo është e mbuluar në SNA/ISA 720 Përgjegjësitë e auditorit në lidhje me informacione të tjera.

Efektet e mundshme në raportin e auditorit

Efektet e mundshme në raportin e auditorit mund të përfshijnë [2]:

  • Për entitetet me interes publik, një Çështje Kryesore e Auditimit në lidhje me punën shtesë të auditimit të nevojshme për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Për shembull, për të përshkruar qasjen për auditimin në grup, të shpjegoni se nuk ka paqartësi materiale ose nuk ka ndonjë paqartësi lidhur me çështjen e vijimësisisë.
  • Një paragraph "theksi i çështjes", për shembull për të theksuar një ngjarje të rëndësishme të mëvonshme të shpalosur në pasqyrat financiare, ose një pasiguri të rëndësishme që lind nga pandemia.
  • Një paragraf për pasigurinë materiale në lidhje me vijimësinë.
  • Një kualifikim, ose një mendim i pafavorshëm, për shembull në lidhje me shpalosjet e papërshtatshme, ose pasiguritë e vijimësisë, në pasqyrat financiare
  • Një mendim i kualifikuar, ose një mohim i mendimit, për shkak të kufizimit të fushëveprimit kur nuk janë në gjendje të marrin prova të mjaftueshme të auditimit. Për shembull, kur numërimi fizik i stokut nuk mund të bëhej personalisht.

Efektet e mundshme praktike për auditimin e pasqyrave financiare

Diskutime proaktive të auditorëve me kompanitë e tyre kliente

Auditorët këshillohen të jenë proaktivë dhe të diskutojnë me klientët e tyre ndikimin e koronavirusit në kompani, veprimtarinë e saj, operacionet, orarin e raportimit dhe orarin e auditimit, duke përfshirë planet e tyre përkatëse të pasigurisë. Ekziston rreziku i vonesave sepse kompania mund të ndërpritet në përgatitjen e informacionit.

Çështjet logjistike në përgatitjen e llogarive dhe ndërmarrjen e auditimeve

Disa kompani dhe auditorë po përballen me vështirësi praktike në përgatitjen e llogarive dhe kryerjen e auditimeve. Kjo ka mundësi të ndikojë në mënyrën se si firmat e auditimit do të auditojnë ato kompani. Duke pasur parasysh udhëtimin, takimet dhe hyrjen në hapesirat e ndërmarrjeve, gjithnjë e më të kufizuara, auditorët duhet të zhvillojnë procedura alternative të auditimit për të mbledhur prova të mjaftueshme të auditimit.

Konsideratat e rishikimit të auditimit në grup

Auditorët në grup duhet të marrin parasysh se si planifikojnë të rishikojnë pjesët e punëve të auditorëve për të përmbushur kërkesat e standardeve. Kjo duhet të përfshijë marrjen në konsideratë nëse duhet të përdoren procedura alternative, për shembull, kur udhëtimi është i kufizuar.

Rrethana të paparashikuara

Kur auditimi nuk mund të kryhet fare, për shembull për shkak të izolimit ose infektimit të auditorit nënshkrues, rekomandohet të kontaktoni rregullatorin përkatës për këshilla në hapat e ardhshëm.

 

[1] Për shembull, njohja e të ardhurave; inventarët; taksa mbi të ardhurat; pronë, impiante dhe pajisje; investimet në shoqëri dhe joint-venture; provizione detyrime kontigjente, etj.

[2] SNA-të e mëposhtme janë të rëndësishme:

SNA 700 Formimi i një opinioni dhe raportimi mbi pasqyrat financiare
SNA 701 Komunikimi i çështjeve kryesore të auditimit në raportin e auditorit të pavarur
SNA 705 Modifikimet e Opinionit në Raportin e Auditorit të Pavarur
SNA 706 Paragrafët që theksojnë çështjen dhe paragrafët për çështje të tjera në raportin e audituesit të pavarur