Gjatë pandemisë së Koronavirusit, Biznesi duhet të jetë protagonist, jo spektator

2020-03-27 - 08:22

Artikull i shkruar nga: Richard Winston Edelman - President dhe Kryeshef Ekzekutiv i kompanisë “Edelman” dhe Dr. David Nabarro - i dërguar special i Organizatës Botërore të Shëndetit për COVID-19

Përderisa bota është duke u përballur me përhapjen e Koronavirusit të ri, njerëzit kërkojnë qartësi më të madhe për rreziqet me të cilat mund të përballen dhe se si t'i minimizojnë në mënyrë të duhur ato. Ata kërkojnë informacion të besueshëm nga burime të besueshme. Problemi është mungesa e informacionit të besueshëm për shkak të pasaktësisë së informacioneve në rrjetet sociale si dhe politizimi i problemit. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) do të donte që të gjithë njerëzit kudo që janë të kenë njohuri se si të jenë të sigurt përballë shpërndarjes së pandemisë COVID-19.

Bizneset mund të ndihmojnë. Bizneset mund të japin një kontribut jetik në vazhdimësinë ekonomike dhe sociale duke bërë çmos për të vazhduar veprimtarinë edhe gjatë kësaj pasigurie. Bizneset mund të ndihmojnë punonjësit dhe klientët e tyre të qëndrojnë të informuar në mënyrën e duhur duke ju siguruar qasje në informacione të besueshme, të bazuara në shkencë, të cilat njerëzit mund t'i përshtasin me rrethanat në të cilat gjenden.

Për t'iu mundësuar bizneseve të kontribuojnë plotësisht, Edelman ka ftuar Dr. David Nabarro, një të dërguar special i OBSH për pandeminë COVID-19, të ndihmojë klientët tanë dhe punonjësit tanë me informacionet më të azhurnuara sa i përket pandemisë. Në të kaluarën, Dr. Nabarro menaxhoi pandeminë Ebola dhe pandeminë e Shpezëve për Kombet e Bashkuara si dhe është specialist i shëndetit publik. Edelman po punon gjithashtu me Forumin Ekonomik Botëror mbi një plan komunikimi për 500 kompanitë anëtare. Klaus Schwab, kryetari dhe themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, po ofron një azhurnim të përjavshëm për udhëheqësit e kompanive anëtare. Edelman po ndihmon Forumin Ekonomik Botërorë të krijojë një platformë në mënyrë që kompanitë të jenë të informuara mbi veprimtarinë e të tjerëve mbi udhëtimet, konferencat dhe mbylljet e zyrave.

Dr. Nabarro iu drejtua stafit dhe klientëve të Edelman këtë javë. Këtu janë pikat e nënvizuara nga vërejtjet e tij:

Sëmundja -  Koronavirusi i ri (COVID-19) nuk është i ngjashëm me gripin sezonal ose pandeminë SARS. Virusi COVID-19 është bërë i njohur vetëm qe tre muaj. Përderisa OBSH njihet më mirë me virusin dhe dobësitë e tij, ai po azhurnon udhëzimin e tij se si mund të parandalohet shpërndarja në mënyrën e duhur. Përhapja e pandemisë COVID-19 zhvillohet shpejt dhe me efekt dramatik sepse virusi transmetohet lehtësisht, një person mund të infektojë deri në tre të tjerë (dhe në raste të rralla shumë më tepër). Rreziku i transmetimit duket të jetë më i lartë në vendet e paventilizuara apo paajrosura. COVID-19 është një sëmundje e frymëmarrjes: Virusi përhapet nga pikat mikroskopike (spërklat) të prodhuara gjatë kollitjes ose teshtitjes. Njerëzit mund të infektohen nëse janë afër dikujt që janë të infektuar me COVID-19, për të shmangur infeksionin qëndroni rreth dy metra larg. Simptomat në fillim janë temeperaturë e lartë dhe kollitje, zakonisht jo me sekrecion të hundës. Rreth 20% e të infektuarve sëmuren rëndë dhe në mes një dhe dy përqind do të vdesin. Më të prekurit dhe rrezikuarit janë njerëzit mbi 65 vjeç, si dhe ata me sëmundje kronike siç janë hipertensioni ose diabeti. Fëmijët duken shumë më pak të rrezikuar.

Statusi -  Përhapja e pandemisë COVID-19 në provincën Hubei në  Kinë, duket se po pakësohet, dhe përhapja në provincat e tjera në Kinë po kontrollohet. Qeveria kineze është duke u treguar vigjilente sepse është gjithmonë e mundur që pandemia të rikthehet. Në dy javët e fundit ka pasur një rritje të madhe të numrit të njerëzve të infektuar me pandeminë COVID-19, jashtë Kinës. Tani ka përhapje, me transmetim të komunitetit, në Korenë e Jugut, Japoni, Italinë Veriore dhe Iranin. Në 48 orët e fundit ka pasur raportime për përhapje në Kirkland, Washington (një periferi e Seattle).

Nevojitet reagim i shpejtë - Autoritetet e shëndetit publik duhet të jenë të gatshme t'i përgjigjen shpejt çdo personi të dyshuar me simptoma të pandemisë COVID-19. Pasi konfirmohet infeksioni tek një individ, ai ose ajo duhet të izolohet menjëherë në mënyrë që të parandalojë transmetimin te të tjerët. Duhet pasur kujdes në identifikimin e atyre me të cilët personi i infektuar ka qenë në kontakt dhe për t'i mbajtur ata nën mbikëqyrje në rast se ata rezultojnë të infektuar. Duhet të merret një vendim për t'i mbajtur ata në karantinë ndërsa bëhet kjo mbikëqyrje.

Kina e ka menaxhuar pandeminë në mënyrën e duhur - Sapo qeveria Kineze vërtetoi ashpërsinë e pandemisë së re, ngriti një operim masiv (duke përfshirë tërë qeverinë, si dhe komunitetet dhe ndërmarrjet) i cili ka pasur rezultate të jashtëzakonshme. Përhapja e pandemisë në Wuhan është duke u limituar si rezultat i përfshirjes së organizatave, me mbështetje nga një komunitet masiv i fuqisë punëtore shëndetësore që kontrollon përhapjen e sëmundjeve. Eshtë bërë cdo përpjekje që personat me simptoma të kontrollohen dhe të kërkojnë kujdes spitalor nëse është e nevojshme. Qeveria Kineze ka ristrukturuar shërbimet shëndetësore, duke krijuar lehtësira të dedikuara për trajtimin e personave të infektuar me pandeminë COVID-19, kjo ju mundëson spitaleve tjera të vazhdojnë me trajtimin e përditshëm të kujdesit mjekësor dhe kirurgjik për popullin (përfshirë kujdesin ndaj kancerit ose trajtimin e lëndimeve).

Shoqëria duhet të përmbahet - Ekziston një rol kyc për biznesin në sigurimin e furnizimeve të qëndrueshme të ushqimit, aksesin në energji, shërbimet e transportit dhe tregtinë. Ndarjet në mes niveleve të ndryshme qeveritare, si dhe pozicioni politik dhe piketimi, mund të ndërhyjnë me përgjigje efektive. Të gjitha bizneset, shoqëria civile dhe qeveria kanë role jetike për të vazhduar jetën pavarësisht pandemisë.

Biznesi duhet të komunikojë me punonjësit dhe komunitetet - Në disa vende ku ka pasur përhapje të pandemisë, numri i personave që janë infektuar rishtazi do të dyfishohet çdo tre ditë. Kjo do të thotë që situata globale po evoluon me shpejtësi. Studime të reja shkencore mbi pandeminë po shfaqen gjatë gjithë kohës, dhe vlerësimet e situatës, si dhe udhëzimet për përgjigjet optimale, po azhurnohen nga dita në ditë. Kjo do të thotë që kompanitë duhet të jenë të gatshme të përshtasin punën e tyre me rrethanat dhe t’i mbajnë rregullisht të azhurnuar akterët e tyre relevant.

Rëndësia e pushtetit lokal - Përderisa informohen për pandeminë COVID-19, njerëzit kudo kanë shumë pyetje dhe shpesh interesohen për burimet ku mund të udhëzohen në mënyrë të duhur. Si OBSH-ja, ashtu dhe CDC-ja (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) në SHBA po ofrojnë informacione të bazuara në shkencë. Sidoqoftë, vendimet aktuale rreth asaj që duhet të bëhet përballë kërcënimeve të pandemisë merren më së miri në nivel lokal. Njerëzit kanë shqetësime të shumta dhe kërkojnë informacion autorizues për t’i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhje se çfarë duhet të bëjnë në shtëpi, komunitet, institucion banimi, vend pune, objekt të religjionit, ngjarje sportive etj. Kompanitë mund të demonstrojnë se ata kujdesen për punonjësit e tyre duke i’u mundësuar atyre të diskutojnë çështje të tilla haptas, kjo hapje kërkon një përpjekje të madhe komunikimi dhe është përgjithësisht më e mira nëse udhëheqësi është pjesë e saj, në mënyrë të vazhdueshme. Prania personale e udhëheqësit është thelbësore për kredibilitet. Udhëheqësit aktualisht kanë më shumë kredibilitet se kushdo në një kompani dhe për këtë arsye duhet të jenë në kontakt me punonjësit e tyre të paktën dy herë në javë për muajt e ardhshëm. Ata duhet të ofrojnë linja ndihmëse dhe procedura të tjera për punonjësit për t'u siguruar që ata të ndihen të përfshirë. Implementoni një politikë ku nuk ka nevojë për keqardhje: nëse punonjësit duhet të punojnë nga shtëpia ose të kenë fleksibilitet, ju lutemi lejoni. Udhëheqësit janë ndër njerëzit më të besuar në botë. Ndikimi i tyre mund të ketë një efekt të madh në luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Udhëtimi dhe ngjarjet - Njerëzit duhet të inkurajohen që të ndjekin këshillat e OBSH-së, si dhe këshillat e autoriteteve kombëtare të shëndetit. Për vendimet për pjesëmarrjen në kongrese, udhëtimin në qytete të tjera dhe mbylljen e zyrave, duhet të këshillohen nga rrethanat dhe masat kombëtare. Nuk ka udhëzime se çfarë të bëni për ngjarje apo konferenca sportive; secila duhet të vlerësohet bazuar në informacionet lokale në kohën e rrezikut nga infeksioni, aftësitë e shërbimeve lokale shëndetësore dhe pozicionin e marrë nga autoritetet lokale. Mundohuni që të mos lejoni që mbylljet të sjellin biznesin në një pikë ndalese, por kujdesuni  dhe siguroni punonjësit tuaj kryesorë.

Kërkesa specifike për kohën e reklamimit/marketingut - Mund të jetë veçanërisht e dobishme nëse të gjithë ata që punojnë në PR (marrëdhënie me publikun) të inkurajojnë klientët të ofrojnë disa prej mjeteve të tyre të dedikuara për marketing, në transmetimin e njoftimeve të shërbimit publik se si njerëzit mund të jenë më të sigurt përballë pandemisë COVID-19.

Bashkëpunimi me njerëzit - Mësimi kyc nga vendet që kanë pasur sukses në parandalimin dhe trajtimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, është nevoja për të ndarë gjithçka me popullin. Kërkoni nga ata bashkëpunim në trajtimin e sëmundjes. Dezinformimi duhet të kundërshtohet në mënyrë absolute nga bizneset, qeveria dhe organizatat e komunitetit.

Kontributi më i madh që të gjithë ne mund të bëjmë në javët e ardhshme është të sigurojmë që faktet, jo-trillimet, janë baza e vendimeve. Mësimet e “Edelman Trust Barometer” duhet të hyjnë në punë: "Punëdhënësi im" është institucioni më i besuar dhe "Udhëheqësi im" pritet të flasë për çështjet e ditës. Këtu janë gjashtë hapa që mund të ndërmarrin bizneset për të mbajtur rrjedhën e komunikimit:

  • Udhëheqësi duhet të komunikojë me punonjësit dhe të gjithë akterët relevant;
  • Vendosja e komunikimit të shpeshtë (preferohet dy herë në javë) me punonjësit dhe akterët relevant për t'i mbajtur ata të azhurnuar me të gjitha zhvillimet përkatëse;
  • Korrigjimi i menjëhershëm i dezinformimit;
  • Krijimi i një platforme që azhurnohet në mënyrë rutinore me informacione të rëndësishme që mund të ndikojnë në jetën e punonjësve tuaj dhe funksionimin e kompanisë tuaj;
  • Vendosja e një linje direkte ku punonjësit mund të qasen për të bërë pyetjet që mund t’i kenë rreth pandemisë;
  • Komunikimi i një politike ku nuk ka nevojë për keqardhje: nëse punonjësit preferojnë të punojnë nga shtëpitë ose mos të udhëtojnë, siguroju atyre këtë fleksibilitet.

Kompania “Edelman” po mbështet bizneset dhe organizatat që kërkojnë të kuptojnë më mirë pandeminë COVID-19 dhe implikimet e saj në shëndetin publik, të menaxhojnë komunikimin me punonjësit dhe klientët dhe të marrin udhëzime mbi strategjitë dhe politikat për përgatitjet efektive dhe përpjekjet për reagim.