Koronavirusi: 4 këshilla për të punuar nga shtëpia

2020-03-18 - 11:26

Përhapja e koronavirusit është në titujt kryesorë të lajmeve. Shumë punëdhënës janë duke u përgatitur për ndërprerje të mundshme të punës, gjë që mund të ndikojë në veprimtarinë e biznesit në afat të gjatë, duke përfshirë mungesën e fuqisë punëtore, çështjet e transportit, reduktimin e orarit të punës dhe mungesën e konsumatorëve.

Për fat të mirë, shumë biznese tashmë janë duke marrë masa paraprake për të reduktuar ekspozimin dhe përhapjen e pandemisë në mes të punonjësve, përfshirë këtu dhe gjigantët globalë si Amazon dhe Twitter. Këto masa paraprake përfshijnë ndalesat e udhëtimit për punë, anulimin e takimeve dhe konferencave fizike si dhe inkurajimin e punonjësve për të punuar nga shtëpia ose vetë-karantina deri sa të kalojë rreziku. Fatkeqësisht, disa nga këto masa paraprake mund të paraqesin problem në proceset e punës për punonjësit të cilët janë të përfshirë në atë punë.

Gjatë kësaj periudhe ku miliona individë po punojnë nga shtëpitë e tyre tash e sa kohë, ka pasur një nxitje në shitjet e laptopëve dhe tabletëve të përdorur, ndërsa aplikacioni i Alibaba-së, “DingTalk” u ngrit në majat e listave të “App Store” (dyqanit të aplikacioneve) Kinez.
Kompanitë dhe produktet e tjera që lehtësojnë punën në distancë, siç është shërbimi i platformës së video-konferencave “Zoom” dhe aplikacioni për komunikim “Slack”, gjithashtu kanë shënuar rritje të konsiderueshme që nga fillimi i përhapjes së pandemisë. Çmimi i aksioneve të “Zoom” është rritur rreth 11% gjatë javës së fundit. Aksionet në RingCentral i cili ofron shërbime mbi aranzhimin e takimeve përmes internetit, janë rritur më shumë se 40% deri në këtë periudhë të vitit.

Përderisa koronavirusi vazhdon të përhapet, çdo organizatë duhet të inkurajojë punonjësit që të punojnë nga distanca. Në vazhdim janë katër këshilla që ndihmojnë në përgatitjen e ekipit tuaj për telekomunikim:


1. Zbatoni një rutinë pune. Puna nga shtëpia paraqet një mori sfidash të ndryshme krahasuar me punën në zyrë. Humbja e vëmendjes apo hutimi duket se është kudo, dhe mungesa e shoqërimit nga bashkëpunëtorët mund t'i bëjë disa individë të ndihen të shqetësuar. Në këtë rast ndihmon vendosja e një rutine dhe më e rëndësishmja është që t'i përmbahemi asaj rutine. Krijoni orar për t'iu përgjigjur postës elektronike(e-mail-ve), të bëni video-konferencë, të hani drekë dhe të merreni me shkrimin e raporteve. Një gjë tjetër që duhet të keni parasysh është, se ditët e punës nga shtëpia do të përfundojnë së shpejti.

Gjithashtu mund të ndihmojë caktimi i një hapësire ​​pune në shtëpinë tuaj. Që kur të gjendeni në atë hapësirë, ju do jeni në gjendje të punoni dhe nuk do të shpërqendroheni nga ushqimi ose dërgimi i qenit tuaj në sheti kur ndiheni i shqetësuar.


2. Mbani një lidhje pune. Distanca nga vendi i punës shpesh përkthehet në distancë nga vlerat dhe komuniteti i vendit të punës. Është shumë e lehtë të izolohesh dhe të ndihesh i vetmuar në punën tënde kur je jashtë ambientit të zyrës. Mbani një lidhje me zyrën duke zgjedhur të bëni thirrje në vend se të dërgoni e-mail, dhe mbani kontakte me kolegët përmes video-konferencave.


3. Vendosni kufij në mes të punës dhe jetës. Sapo të jeni në shtëpi, nëse nuk keni kufij të qartë në mes të jetës profesionale dhe asaj private është e lehtë të mërziteni nga të dy palët. Të thuash po për çdo punë të shtëpisë sepse je në shtëpi dhe të pajtohesh për çdo detyrë pune sepse nuk je i sigurt kur do të përfundojë dita juaj e punës, do të shkaktojë që në fund të ditës sigurt të ngeleni të shqetësuar dhe të zhgënjyer. Reflektoni mbi menaxhimin e përgjegjësive të punës dhe përgjegjësive të shtëpisë dhe negocioni me partnerin, familjen dhe kolegët kur ndiheni të mbingarkuar.


4. Menaxhimi gjithëpërfshirës. Si udhëheqës, menaxhimi i një ekipi në distancë mund të jetë një eksperiencë krejt e re, por nuk është e nevojshme të jetë eksperiencë e hidhur. Ndiq punën e gjithë stafit tuaj dhe kontrolloni nëse ata kanë mjetet e nevojshme për të kryer detyrat e tyre. Planifikoni me secilin punonjës individualisht komunikim përmes video-kamerës (face time) për të siguruar që ata nuk ndihen të shkëputur nga puna, dhe inkurajoni bashkëpunimet që nxisin performancën e ekipit.


Dërgimi i reagimeve në mënyrë të rregullt për punonjësit dhe inkurajimi i tyre për të bërë të njëjtën gjë, i ndihmon të gjithë të përafrohen me objektivat e ekipit. Gjithashtu nxit diskutimin mbi punën që është bërë në mënyrë të duhur dhe çfarë mund të përmirësohet.

Të punosh nga shtëpia fillimisht mund të jetë një sfidë. Por, kur është një pandemi vërdallë, të qëndrosh larg zyrave të mbushura me njerëz, redukton shumë mundësinë e përhapjes dhe transmetimit të saj. Përderisa koronavirusi të jetë nën kontroll, përfitimet nga puna në distancë tejkalojnë shqetësimin. Për sa kohë që puna në distancë është duke manovruar në rrugën e duhur, organizata juaj mund të jetë po aq produktive siç është në kushte normale.