Goditja ekonomike pas pandemisë Covid-19

2020-03-27 - 09:42

Artikull i shkruar nga:  Xhevdet Beqiri -  Auditor Ligjor  dhe Partner Menaxhues në NEXIA KS

 

Situata emergjente dhe në tërësi të pa parashikuara dhe të pa menduara nga njerëzimi do vijnë në këto kohëra të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik.

A do jetë Bota pas kësaj pandemie njësoj siç ka qenë para saj? Me siguri që jo, dhe cilat do jenë efektet e saj në ndryshim do të mbetet për tu parë në muajt dhe vitet në vazhdim. Ndryshimi i parë dhe më i larti do jetë ai psikologjik dhe shoqëror - social dhe pa mëdyshje ekonomik. Do të ndryshojë prioriteti ne jetën individuale dhe po ashtu prioriteti në nivel shtetëror dhe të grupeve të interesit.

Ajo se çka është duke u parë këto ditë në aspektin ekonomik në nivel botëror, është një goditje shumë e madhe në disa prej sektorëve të ekonomisë. Parashikohet një rënje mbi 50% në sektorët siç janë kujdesi personal - kozmetik, shërbime të kujdesit të kafshëve, produkteve elektronike (telefona etj), libra, gazeta e të tjera të printuara, aksesorët dhe bizhuteritë, veshëmbathjet, mobilieritë, industria e pijeve dhe në veçanti ajo e alkoolit, dhe industria e duhanit. Ndikimi më i madh do të jetë në produktet e luksit.

E vetmja industri që është parashikuar të ketë një rritje rreth 15% do jetë industria e ushqimit, e po ashtu edhe në ketë industri do ketë ndryshime të mëdha në grupet ushqimore. Një pjesë e tyre, në veçanti pijet dhe ushqimet industriale, do pësojnë rënje të lartë, ndërsa të tjerat do të kenë rritje.

Efekti botëror në ekonomi në varësi të shteteve dhe industrive të tyre do të ketë variacione të ndryshme gjatë pandemisë dhe pas saj. Industria e derivateve të naftës, transportit, elektronikës, dhe kozmetikës janë më të goditurat gjatë pandemisë. Shumë shtete kanë filluar duke bërë paketa mbështetëse financiare për shumë sektorë në ekonomitë e tyre në mënyrë që ato të arrijnë t’i mbijetojnë falimentimit. Mbi 15% e bizneseve në nivel botëror do të falimentojnë brenda 2 muajve në rast se pandemia do vazhdojë edhe pas muajt Prill. Gjithë kjo do të vijë si pasojë e vështirësive financiare (likuiditetit) të tyre.

Në Kosovë, efektet do të jenë edhe më të larta. Kjo do të vijë si pasojë e borxheve të mëdha financiare që një pjesë e bizneseve kanë në banka, e po ashtu edhe te partnerët e tyre në biznes. Duke ditur që shumica e tyre janë gjendur në vështirësi financiare që para hyrjes në fazë të pandemisë, kjo e fundit do të jetë një fazë që do të vështirësojë shumë mundësinë e tyre për mbijetesë.

Gjendja e rëndë financiare do të bëjë të pamundur një ringjallje të shpejtë pas pandemisë dhe do të duhet shumë kohë për të rikuperuar të gjithë këtë efekt që do të vijë si rezultat i pandemisë. Muaji Prill do të jetë muaji i parë që disa nga bizneset do të gjenden para një situate shumë të vështirë. Edhe pse është ofruar një mundësi që së paku pjesa e detyrimeve financiare me banka të këtë lehtësira për të bërë të mundur ri-programin e borxhit duke ofruar disa muaj që të mos ketë pagesa drejt bankave, kjo nuk do mjaftojë për ti shpëtuar ato. Shpenzimet e larta fikse do jenë ato që do të sjellin në një gjendje kolapsi bizneset në rast se pandemia nuk do përfundojë brenda muajt Maj.

Në rast se pandemia do të zgjasë edhe pas muajt Qershor e tutje atëherë gjendja do jetë shumë e rëndë dhe do kemi mbi 60% të bizneseve që do të kenë të pa mundur të vazhdojnë punë ose do jenë të detyruar që të vazhdojnë punë me kapacitete te kufizuara, dhe e gjithë kjo do shkaktojë largim të personelit nga puna dhe rënje të fuqisë blerëse në përgjithësi. Për më tepër, kriza do thellohet edhe si pasojë e efektit të krizës politike dhe rënjes së qeverisë. Duke mos pasur një qeveri funksionale dhe duke ditur efektin e mundshëm që do të këtë një vit zgjedhor, efekti i krizës ekonomike do thellohet pasi që një pjesë e madhe e ekonomisë është e varur nga projektet shtetërore. Kriza politike ka dërguar mesazhe jo të mira edhe te shumë afaristë potencialë për investime në Kosovë. Kriza politike do të vazhdojë që të shkaktojë largim të rinjët nga Kosova dhe ky të jetë një faktor shumë i lartë në ndikimin e zhvillimit ekonomik pasi që do të ketë mungesa të mëdha të ekspertëve dhe profesionistëve e po ashtu do të rrisë edhe më tepër mungesën e fuqisë punëtore dhe e gjithë kjo do të konvertohet në rritje të kostove të bizneseve kosovare duke i bërë jo konkurues në treg.

Duke parë strukturën e Ekonomisë në Kosovë, sektorët më të goditur do të jenë sektori i shërbimeve, i kozmetikës, i tekstilit, sektori i aksesorëve dhe bizhuterive, dhe gastronomia - kafeteri /restorante. Sektori i bujqësisë do të ketë vështirësi fillestare në muajt e parë por do të mund të ringjallet shumë më shpejt se sektorët tjerë dhe e gjithë kjo do të vijë nga rritja e interesit për të pasur ushqime sa më cilësore dhe të freskëta ne tryezën e tyre.

Një nga sektorët që për herë të parë në Kosovë do mund të jetë në vështirësi, do të jetë sektori financiar. Rënja e ekonomisë në përgjithësi prej 30-35% në Kosovë do të shkaktojë pamundësi të kthimit të kredive të atyre aktive dhe gjithashtu pamundësi të marrjes së kredive të reja së paku për një periudhë 2 vjeçare pas pandemisë. Efekti në ekonominë e Kosovës do vijë edhe si rezultat i rënjes së ekonomisë në nivel botëror që pritet të jetë mbi 20%. Në vendet e treta apo ato në zhvillim, efekti do jetë shumë më i lartë dhe do të mund të shkojë edhe deri në 40%, dhe në gjithë ketë, një ndryshim i lartë do vijë si rezultat i ndryshimeve të prioriteteve dhe formës së funksionimit.

Në Kosovë gjatë pandemisë janë goditur edhe disa nga industritë si ndërtimi, si pasojë e masave të marra nga qeveria për të ndërprerë tregtinë e materialit ndërtimor duke bërë kështu të pamundur funksionimin e disa nga sherbimet ndërtimore që janë të liruara për të operuar gjatë kësaj kohe, në pamundësi të furnizimit me material ndertimi. Masat që ka marrë Qeveria në shumë drejtime, janë të pa koordinuara pasi që nuk është parashikuar se cili është efekti i përgjithshëm dhe efekti zinxhiror që ato shkaktojnë, duke bërë që të ketë një efekt domino në shumë biznese në vend.

Për më tepër, vështirësitë vijnë edhe si rezultat i frikës së krijuar pasi bizneset nuk kanë një organizim të funksionimit në kohë krizash, dhe një gjë e tillë nuk është menduar, diskutuar dhe planifikuar ndonjëherë në ndonjë nga kompanitë kosovare. Reagimi jo i duhur në momentin e futjes në krizën nga pandemia ka bërë që problemet të jenë edhe më madhore.

Gjatë dhe pas kësaj pandemie, do të duhet të merren masa urgjente për riorganizim funksional dhe strategjik të bizneseve, identifikimin e pikave kritike dhe masat emergjente për të përballuar krizën fillimisht si dhe hartimin e strategjisë të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Ajo që shteti i Kosovës do duhet të bëjë, është një paketë financiare të ofruar për bizneset në vështirësi që së paku të mbulohen pagesat e pagave të stafit në mënyrë që kompanitë të mos kenë humbje të stafit të tyre si rezultat i krizës. Gjithashtu do duhet të bëjë të mundur që të ketë një paketë tjetër financuese përkrahëse për rifillim të punës pas krizës. Qeveria e Kosovës do duhet të përgatisë një strategji përkrahëse me shpejtësi dhe do duhet të kërkojë edhe mbështetje nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Korea, Kina dheTurqia për fonde mbështetëse. Nuk ka asnjë dëm në kërkimin e ndihmës kur shteti ka nevojë.