FNK mbështet standardin e ri të auditimit të BSNAS për entitetet më pak të ndërlikuara dhe inkurajon juridiksionet të marrin në konsideratë adoptimin e këtij standardi.

2023-12-08 - 11:55

Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe Auditorëve (FNK), e cila përfshin 180 organizata anëtare dhe përfaqëson miliona kontabilistë dhe auditorë profesionistë në mbarë botën, përgëzon Bordin e Standardeve Ndërkombëtar të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS) për standardin e ri të pavarur për auditimet e pasqyrave financiare të entiteteve më pak të ndërlikuara. Standardi Ndërkombëtar i Auditimit për Auditimet e Pasqyrave Financiare të Entiteteve më pak të ndërlikuara, i njohur si ISA për LCE, është proporcional dhe i përshtatur me natyrën dhe rrethanat e auditimeve të entiteteve më të vogla dhe më pak të ndërlikuara. I ndërtuar mbi bazën e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (SNA), ai përmban të gjitha kërkesat e nevojshme për të marrë siguri të arsyeshme.


CEO i FNK Kevin Dancey tha: “FNK është angazhuar me BSNAS gjatë zhvillimit të ISA për LCE dhe ka dhënë komente në emër të praktikuesve në mbarë botën. Mbështetja jonë nxitet nga rëndësia e entiteteve më pak të ndërlikuara për të gjitha ekonomitë dhe të kuptuarit tonë të vazhdueshëm të nevojës urgjente për veprim në nivel global për të trajtuar rrezikun e konsiderueshëm të fragmentimit të ekosistemit ndërkombëtar të përcaktimit të standardeve për shkak të nismave kombëtare dhe rajonale."


Pas publikimit të ISA për LCE, FNK inkurajon organizatat anëtare që të adoptojnë ose avokojnë për miratimin e ISA për LCE në juridiksionet e tyre ose të promovojnë implementimin e standardit. Organizatat anëtare të FNK - organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit (OPK) në mbarë botën – janë të rëndësishme për mënyrën se si standardet ndërkombëtare miratohen dhe zbatohen duke pasur parasysh marrëdhëniet e tyre me rregullatorët dhe organet mbikëqyrëse që shpesh kanë autoritetin përfundimtar ose të përbashkët të adoptimit.


Në vitin 2024, FNK do të fillojë të mbledhë të dhëna për planet dhe vlerësimet e mundshme të adoptimit në nivel juridiksioni, me synimin për të raportuar shembuj dhe të dhëna të tjera relevante në të ardhmen, siç bën me standardet e tjera ndërkombëtare dhe praktikat më të mira që organizatat anëtare të FNK duhet të miratojnë, zbatojnë dhe raportojnë. FNK do të vazhdojë gjithashtu të koordinohet me BSNAS për miratimin dhe zbatimin e aktiviteteve të saj, duke përfshirë bashkëpunimin në webinarët globalë dhe shqyrtimin e çdo materiali të ardhshëm.