PËR NE

Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) është organizatë jo-qeveritare dhe jo-fitimprurëse, e themeluar në vitin 2001 me qëllim të zbatimit dhe promovimit të standardeve globale dhe praktikave më të mira për profesionin e ri dhe asistimit në zhvillimin ekonomik në të mirë të interesit publik. Historia jonë filloi me një ide, e cila u bë një institucion që iu shërben nevojave të ekonomisë dhe që ka funksionuar për ta orientuar vendin tonë drejt një ekonomie të re e që përmbush rolin e një organizate profesionale moderne të kontabilitetit.  Në këtë mënyrë, ShKÇAK u bë organizata e parë profesionale që ofron programe të edukimit për kontabilitet dhe auditim dhe shoqata e parë që u licencua nga Këshilli Kosovar për Raportim Financiar (KKRF) atëbotë Bordi Kosovar për Standardet për Raportim Financiar, që është autoriteti rregullativ i standardeve të raportimit financiar, kontabilitetit dhe auditimit.  

Sot, ShKÇAK është një organizatë që ofron programe të edukimit të standardeve të larta dhe i përfaqëson rreth shtatë mijë profesionistë, të cilët janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm në institucione kyçe të Republikës së Kosovës, siç janë Zyra e Kryeministrit, Ministritë, Banka Qendrore, Zyra Kombëtare e Auditimit, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Komunat si dhe bizneset dhe firmat e auditimit.     

Përputhja me rregulloret për profesionin por njëkohësisht edhe me standardet vendore dhe ato ndërkombëtare të edukimit dhe trajnimit të zhvilluara nga Bordi për Standardet Ndërkombëtare të Edukimit në Kontabilitet (BSNEK), kanë bërë që ShKÇAK të merret si model për zhvillimin e organizatave profesionale në vendet në zhvillim.

Përkushtimi i anëtarëve dhe strukturave qeverisëse të saj për zbatimin rigoroz të standardeve, bënë që në vitin 2009, ShKÇAK të bëhet anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtarë të Kontabilitetit (FNK/IFAC) duke u bërë kështu organizata e parë profesionale kosovare dhe njëra ndër të paktat në Ballkan që u anëtarësua në FNK, që është një organizatë profesionale globale e kontabilitetit dhe auditimit që i përfaqëson më shumë se 175 organizata anëtare në 130 vende anembanë botës dhe mbështetë zhvillimin dhe zbatimin e standardeve të kontabilitetit, auditimit dhe të edukimit si dhe bën mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre standardeve nga organizatat anëtare. ShKÇAK është anëtare me të drejta të plota edhe e Federatës Evropiane të Kontabilistëve dhe Auditorëve për NVM (EFAA) dhe Federatës Mesdhetare e Kontabilistëve (FCM).

Si rezultat i një bashkëpunimi të suksesshëm në mes të ShKÇAK-së dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të gjithë zyrtarët e këtij institucioni kanë ndjekur dhe përfunduar çertifikimin në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI).

Njëherit, ShKÇAK ka bashkëpunim të mirë me shumë organizata profesionale, rregullatorë, institucione supreme të auditimit, universitete dhe organizata tjera relevante në zhvillimin e profesionit dhe edukimit për kontabilitet dhe auditimit në vend, rajon dhe botë si Asociacioni i Auditorëve të Çertifikuar në Britani të Madhe (ACCA), Instituti i Licencuar për Financa Publike në Britani të Madhe (CIPFA), Qendrën për Reforma të Raportimit Financiar të Bankës Botërore në Vjenë (CFRR), Shoqata e Auditorëve të Çertifikuar në Amerikë (AICPA), Këshilli Kosovar për Raportim Financiar(KKRF), komuniteti i biznesit, Universiteti i Prishtinës-Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Prizrenit-Fakulteti Administrim Biznesi, Universiteti i Pejës-Fakulteti Administrim Biznesi, Kolegji Riinvest, Kolegji UBT, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Shqipërisë (IEKA), Shoqata e Auditorëve të Maqedonisë (ICAM), Zyra Kombëtare të Auditimit në Kosovë(ZKA), Këshilli i Lartë Shtetëror Shqipëri (KLSH) e shumë të tjera.

Në hap me zhvillimin e standardeve të edukimit për kontabilitet dhe auditim, me shumë programe çertifikuese, me rritje dita ditës të numrit të studentëve dhe anëtarëve dhe e rrethuar me shumë bashkëpunëtorë, donatorë dhe miq profesionistë anembanë botës, ShKÇAK është duke ecur sigurt në dekadën e dytë të saj si një faktor i rëndësishëm i historisë së zhvillimit të profesionit dhe ndërtimit të së ardhmes së Kosovës.