ShKÇAK merr pjesë në tryezën “Forcimi i Raportimit Financiar të Korporatave në Kosovë dhe Vendosja e Kërkesave të Raportimit mbi Qëndrueshmërinë“ të organizuar CFRR

2023-07-12 - 05:51

Sot me datë 04 Korrik, 2023 – Përfaqësues të ShKÇAK së bashku me përfaqësues të Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, Fakultetit Ekonomik si dhe shoqatave të tjera profesionale morën pjesë në tryezën “Forcimi i Raportimit Financiar të Korporatave në Kosovë dhe Vendosja e Kërkesave të Raportimit mbi Qëndrueshmërinë“ të organizuar nga Qendra e Bankës Botërore për Reformë të Raportimit Financiar (CFRR).


Tryeza filloi me fjalë mirëseardhje nga Znj. Elene Imnadze, Zyrtare e Lartë Operative në Bankën Botërore dhe Z.Blirind Danjolli, Këshilltar i Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve.


Në kuadër të tryezës nga Z. Andrei Busuioc, Specialist i Lartë për Menaxhim Financiar në Bankën Botërore dhe Znj. Svetlana Platon, Konsulente për Menaxhim Financiar në Bankën Botërore u prezantua sesioni me temën “Përmirësimi i përafrimit të legjislacionit të auditimit dhe kontabilitetit me atë të BE-së”. Ky sesion paraqiti çështjet kyçe dhe hendekët në legjislacionin kombëtar krahasuar me acquis të BE-së në fushën e kontabilitetit dhe auditimit. Gjithashtu sesioni ofroi shembuj të mënyrave të financimit për sistemin e mbikëqyrjes publike bazuar në praktikat e mira ndërkombëtare, si dhe nxorri në pah kushtet dhe obligimet për delegimin e detyrave nga autoriteti kompetent tek një shoqatë profesionale e kontabilitetit dhe auditimit.


Ndërsa në panelin “Rruga drejt së ardhmes” të ftuarit diskutuan ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit aktual për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë për ta përafruar më mirë me kërkesat e BE-së, duke përfshirë ndikimet e mundshme dhe sfidat e ndërlidhura. Ndër tema tjera u diskutuan dhe transformimi i kërkesave të raportimit mbi qëndrueshmërinë; sigurimi i fondeve të mjaftueshme për ta bërë BMP-në plotësisht funksional; dhe roli i shoqatave profesionale të kontabilitetit dhe auditimit në mbikëqyrjen publike dhe sistemet e sigurimit të cilësisë.