ShKÇAK dhe ZKA nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për trajnime profesionale

2023-07-26 - 08:34

Sot me datë 26 korrik, 2023 - Shoqata e Kontabilisteve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) dhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) lidhën marrëveshje të bashkëpunimit për trajnime profesionale, nënshkruar nga Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK, Znj. Ardiana Bunjaku dhe Auditorja e Përgjithshme, Znj. Vlora Spanca.

Kjo marrëveshje përcakton kushtet, të drejtat dhe detyrimet lidhur me shërbimet profesionale ofruar nga ShKÇAK për zyrtarët e ZKA, me objektivën e përcaktimit të orëve të trajnimit, kushtet e pjesëmarrjes në trajnime në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional (EVP) si dhe të drejtat e zyrtarëve në Shoqatë.

Sipas marrëveshjes së arritur në kuadër të EVP, zyrtarët e ZKA do të vijojnë 10 orë trajnime brenda vitit kalendarik, në tema të caktuara në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit si dhe auditimit në sektorin publik. Trajnimet do të organizohen gjatë muajit shtator.