Përgjegjësia e kontabilistëve të çertifikuar për nënshkrimin e pasqyrave financiare

2020-03-06 - 03:36

Artikull i shkruar nga: Lulzim Zeka – Kryesues i Komisionit për Edukim Profesional

 

Ligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim që ka hyrë në fuqi nga 1 janar 2019 kërkon që pasqyrat financiare të ndërmarrjeve të caktuara në nënshkruhen edhe nga kontabilisti i çertifikuar.

Çka do të thotë kjo për kontabilistët?

Termi nënshkrim i pasqyrave financiare duhet të shihet nga prizmi i përgjegjësisë që merr kontabilisti i çertifikuar për ato pasqyra. Natyrisht që përgjegjësia për paraqitjen e drejtë dhe të sinqertë të pasqyrave financiare bie mbi menaxhmentin, megjithatë emri dhe nënshkrimi i kontabilistëve të çertifikuar do të shoqëroj pasqyrat financiare dhe si rrjedhojë do të ketë një përgjegjësi të nënkuptuar.

Cila është përgjegjësia e kontabilistëve?

Standardi Ndërkombëtar mbi Shërbimet e Lidhura 4410 – Angazhimet për të përpiluar pasqyrat financiare, ofron udhëzime mbi përgjegjësinë profesionale të kontabilistëve kur angazhohen në përpilimin e pasqyrave financiare.

Procedurat për përpilimin e pasqyrave financare nuk janë të dizajnuara t’i ofrojnë mundësi kontabilistit të çertifikuar të jep siguri mbi informatat financiare, mirëpo përdoruesit e këtyre informatave përfitojnë një dobi si rezultat i përfshirjes së kontabilistit të çertifikuar dhe se shërbimi është kryer me kompetencë profesionale dhe kujdes të duhur.

Standardi parashtron procedurat që duhet të ndiqen nga kontabilistët e çertifikuar në këto raste dhe kanë të bëjnë me përftimin e njohurisë së përgjithshme për ndërmarrjen dhe aktivitetet e saj, ata duhen të jenë të familjarizuar me parimet e kontabilitetit që zbatohen në atë industri përfshirë përmbajtjen e informatave financiare në ato rrethana.

Kontabilisti i çertifikuar gjithashtu duhet të jetë në pajtueshmëri me të gjitha parimet e Kodit të Etikës të IESBA – integritetin, objektivitetin, kompetencën profesionale dhe kujdesin e duhur, konfidencialitetin dhe sjelljen në mënyrë profesionale dhe standardet teknike.

Nëse kontabilistët e çertifikuar vihen në dijeni se informatat e ofruara nga menaxhmenti nuk janë të sakta, jo të plota ose të paknaqshme, kontabilistët duhet të konsiderojnë procedurat e mëtutjeshme siç janë: intervistat me menaxhmentin, vlerësimin e kontrolleve të brendshme, verifikimin e çfardo çështje ose verifikimin e shpjegimeve të përftuara nga menaxhmenti. Në rast të refuzimit nga menaxhmenti për të ofruar dëshmitë e mësipërme, nga kontabilistët kërkohet të tërhiqen nga angazhimi.

Si duhet të veprojnë kontabilistët nëse hasin në anomali materiale në pasqyrat financiare?

Anomalitë në këtë rast mund të përfshijnë: gabimet në zbatimin e standardeve të raportimit financiar, mosshpalosja e kornizës së raportimit financiar apo mosshpalosje të ndonjë çështje domethënëse për të cilat vihet në dijeni kontabilisti i çertifikuar.

Nëse pasqyrat financiare përmbajnë anomali materiale për të cilat kontabilistët vihet në dijeni, ata duhet të kërkojnë korrigjimin nga menaxhmenti dhe nëse kjo nuk ndodhë, kontabilistët duhet të tërhiqen nga angazhimi.

Është evidente se kontabilistët me nënshkrimin e pasqyrave financiare bartin një lloj përgjegjësie, prandaj angazhimet e tyre duhet të jenë angazhime të përpilimit të pasqyrave financiare sipas standardit ISRS 4410 e jo vetëm thjeshtë nënshkrim i tyre.