BSNEK propozon standardin e rishikuar tė edukimit tė vazhdueshėm profesional pėr t’u pėrqendruar mė shumė nė rezultatet e tė mėsuarit

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit dhe Kontabilitetit (BSNEK/IAESB) ka propozuar një rishikim të Standardit Ndërkombëtar të Edukimit (SNE) 7, Edukimi i Vazhdueshëm Profesional, i cili kushton më shumë rëndësi komponentëve të mësimit dhe zhvillimit, të cilët ndërlidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë profesionale të një kontabilisti dhe auditori dhe jo vetëm në të përqendruarit në një numër minimal të orëve të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Rishikimet e propozuara e zgjerojnë standardin aktual dhe i inkurajojnë organizatat profesionale të kontabilitetit dhe auditimit të shikojnë se si sistemet e tyre të EVP-së maten, monitorohen dhe zbatohen. EVP zbatohet tek të gjithë kontabilistët dhe auditorët profesionistë dhe ka për qëllim ta mbështesë zhvillimin dhe ruajtjen e kompetencave profesionale për të ofruar shërbime cilësore për klientët, punëdhënësit dhe palët e tjera të interesit.

"Duke e pasur parasysh përparimin në fushën e teknologjisë dhe edukimit, sesionet e EVP-së do të përfitojnë nga një qasje më inovative ndaj të mësuarit dhe zhvillimit", theksoi Chris Austin, Kryetar i BSNEK-së. "Ky standard i propozuar e përfshinë inovacionin dhe ndryshimet në të mësuarit duke i shtuar kërkesat ekzistuese dhe duke i përqendruar qasjet e rekomanduara të matjes në mësim, gjersa e vë theksin në një varg qasjesh që janë në dispozicion".

Përveç organizatave profesionale të kontabilitetit dhe auditimit, standardi i propozuar do t’i ndihmojë organizatat edukative, punëdhënësit, rregullatorët, autoritetet qeveritare dhe akterët e tjerë relevantë, të cilët janë të përfshirë apo e mbështesin edukimin e vazhdueshëm të kontabilistëve dhe auditorëve profesionistë.

Si të komentoni

BSNEK i fton të gjitha palët e interesit që të komentojnë rreth propozimeve të tij përmes faqes së internetit. Komentet për draft propozimin duhet të bëhen deri më 5 shtator 2017.

Rreth BSNEK-së

BSNEK zhvillon standardet e edukimit, udhëzimet dhe dokumentet informuese për përdorim nga organizatat anëtare të FNK-së në kuadër të një procesi të përbashkët të përcaktimit të standardeve që e përfshinë Bordin e Mbikëqyrjes së Interesit Publik, i cili i mbikëqyrë aktivitetet e BSNEK-së dhe Grupin Këshillues Konsultativ të BSNEK-së, i cili i inkorporon interesat publike në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve. Strukturat dhe proceset që i mbështesin aktivitetet e BSNEK-së ndihmohen nga FNK.

Rreth FNK-së

FNK është organizatë globale për profesionin e kontabilitetit dhe auditimit e përkushtuar për t'i shërbyer interesit publik për fuqizimin e profesionit dhe duke kontribuar në zhvillimin e ekonomive të fuqishme ndërkombëtare. FNK përbëhet nga më shumë se 175 anëtarë dhe bashkëpunëtorë në më shumë se 130 vende dhe juridiksione, që i përfaqësojnë afër 3 milionë kontabilistë dhe auditorë në praktikën publike, edukim, shërbim qeveritar, industri dhe tregti.