BSNKSP është duke i mbledhur komentet e palëve të interesit lidhur me Strategjinë dhe Planin e Punës 2019-2023

2018-02-16 - 11:11

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP / IPSASB) ka publikuar një Dokument Konsultativ lidhur me Strategjinë dhe Planin e Punës 2019-2023 të propozuar të këtij bordi.

Draft Strategjia thekson rëndësinë e Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP) për reformat e menaxhimit të financave publike dhe propozon objektivin strategjik si në vijim:

  • Fuqizimi i Menaxhimit të Financave Publike (PFM) globalisht përmes rritjes së adoptimit të SNKSP-ve me bazë akruale.
  1. Që ofrohet përmes dy fushave kryesore të aktivitetit, ku të dyjat kanë në fokus interesin publik:
  • Zhvillimin e SNKSP-ve dhe udhëzimeve të tjera të raportimit financiar me cilësi të lartë për sektorin publik; dhe
  • Ngritjen e vetëdijes për SNKSP-të dhe përfitimet e adoptimit të bazës akruale.

BSNKSP propozon pesë tema që i mbështesin objektivat strategjike dhe të cilat do të udhëheqin punën e tij.

Për të zhvilluar standarde për fushat kritike në kontabilitetin e sektorit publik, BSNKSP propozon të ndërmarrë tre projekte të reja kryesore të sektorit publik - kontabiliteti për burimet natyrore, normat e skontimit dhe raportimi diferencial - të cilat do të ofrojnë përfitime të mëdha publike për një gamë të gjerë të palëve të interesit.

BSNKSP gjithashtu do të vazhdojë ta mbajë konvergjencën me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, aty ku është e përshtatshme dhe do të punojë me të tjerët për të promovuar zbatimin e SNKSP-ve dhe për të theksuar rëndësinë e informatave me bazë akruale për përforcimin e MFP-së.

"BSNKSP do të vazhdojë të përqendrohet në zhvillimin e standardeve që adresojnë çështjet specifike të raportimit financiar të sektorit publik," tha kryetari i BSNKSP-së, Ian Carruthers. "Megjithatë, strategjia e propozuar gjithashtu thekson rëndësinë e BSNKSP-së për të punuar me palët e interesit për të siguruar që përfitimet e mëdha të zbatimit të SNKSP-ve të kuptohen më gjerësisht dhe se fuqia e raportimit akrual në mbështetjen e reformave të MFP-së është plotësisht e njohur".

Ky Dokument Konsultativ ofron një mundësi që palët e interesit të komentojnë mbi objektivin strategjik të BSNKSP-së, duke i mbështetur temat dhe prioritetet e planit të punës për periudhën 2019-2023. Ju lutemi dërgoni përgjigjet tuaja deri më 15 qershor, 2018, për të siguruar që pikëpamjet tuaja janë marrë në  konsideratë.

Si të komentoni?

Për të pasur qasje në Dokumentin Konsultativ dhe përmbledhjen e tij në një dokument të plotë, ose për të paraqitur një koment, vizitoni faqen e internetit të BSNKSP-së në www.ipsasb.org. Komentet kërkohen deri më 15 qershor, 2018. BSNKSP inkurajon organizatat anëtare të FNK-së dhe organizatat rajonale të kontabilitetit që ta vënë në dispozicion këtë Dokument Konsultativ për anëtarët dhe punonjësit e tyre.

Rreth BSNKSP /IPSASB

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (BSNKSP/IPSASB) punon për ta fuqizuar menaxhimin financiar publik në mbarë botën përmes zhvillimit të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (SNKSP/IPSAS) me bazë akruale dhe udhëzimeve tjera për përdorim nga qeveritë dhe entitetet e tjera të sektorit publik. Bordi merr mbështetje nga Banka Aziatike për Zhvillim, Kontabilistët Profesionalë të Çertifikuar te Kanadasë, Bordi për Raportim të Jashtëm i Zelandës së Re, Qeveria e Kanadasë dhe Qeveria e Zelandës së Re. Strukturat dhe proceset që mbështesin aktivitetet operative të BSNKSP-së mundësohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK/IFAC).

Rreth Komisionit për Interes Publik

Aktivitetet për qeverisje dhe ato standardvënëse të BSNKSP/IPSASB mbikëqyren nga Komisioni për Interes Publik (KIP/PIC), për të siguruar që ato aktivitete i ndjekin proceset adekuate dhe e pasqyrojnë interesin publik. KIP/PIC përbëhet nga individë me përvojë në sektorin publik apo në raportimin financiar dhe profesionistë të angazhuar në organizata që kanë për interes promovimin e informatave financiare të cilësisë së lartë dhe të krahasueshme ndërkombëtarisht.