ShKÇAK e shënon 10 vjetorin e Pavarësisë me konferencë mbi profesionin

2018-02-15 - 04:39

Në shënim të 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) organizoi konferencën “Zhvillimi i profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në  dekadën e parë të Pavarësisë”, e cila u mbajt në Sheshin 21, Prishtinë.

Konferenca i bashkoi akterët kyçë për të diskutuar mbi zhvillimet në sferën e profesionit gjatë dekadës së parë të Pavarësisë dhe sfidat e përballura në zbatimin e kërkesave për raportim financiar dhe auditim efektiv, si bazë për krijimin e një mjedisi për tërheqjen dhe ruajtjen e investimeve të huaja dhe vendore, si dhe mbi rëndësinë e kontributit të profesionistëve në avancimin e raportimit financiar dhe auditimit në Kosovë, sfidat dhe perspektivat.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit të biznesit dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Për t’i dhënë pikëpamjet dhe përvojat e tyre mbi zhvillimin e kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë, prezantuan Kryetari i ShKÇAK-së, Z. Nazmi Pllana, Zëvendës Ministri i Financave, Z. Fatmir Gashi, U.D Guvernatori i Bankës Qendrore, Z. Fehmi Mehmeti, Kryesuesi i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar, Z. Gem Maloku, Drejtori i  Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Z. Sakip Imeri dhe Drejtori i Agjencisë për investime dhë përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA, Z. Besian Mustafa.     

Nga perspektiva e organizatave që i përfaqësojnë, panelistët prezantuan për rëndësinë e avancimit të raportimit financiar, kontabilitetit dhe auditimit dhe rolin e shoqatave profesionale në ngritjen e kapaciteteve vendore, rritjen e besueshmërisë dhe rritjen e transparencës financiare, drejt zhvillimit ekonomik të vendit. 

Të pranishmit i përshëndeti edhe Znj. Safete Hadërgjonaj, deputetja e Kuvendit të Kosovës dhe njëherit Zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, e cila i përgëzoi profesionistët dhe ShKÇAK-në për kontributin e tyre në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

Konferenca u përmbyll me dhuratat simbolike, punime nga Ekzpozita 1 në 1000, që Drejtoresha Ekzekutive e ShKÇAK-së, Znj. Ardiana Bunjaku i ndau për panelistët, për kontributin e tyre në këtë konferencë që e shënoi 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.