BSNAS e mirëpret standardin e ri për përmirësimin e raporteve të auditimit

2017-08-02 - 10:40

Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (BSNAS)/IAASB e mirëpret miratimin e standardit të ri të auditimit nga Bordi Mbikqyrës i Kompanive Publike të Kontabilitetit dhe Auditimit të SHBA-së/PCAOB për t’i  përmirësuar raportet e auditimit duke dhënë informacione relevante shtesë për përdoruesit, duke i përfshirë këtu edhe çështjet kritike të auditimit.

Standardi i ri i PCAOB-së, i cili i nënshtrohet miratimit të Komisionit të Këmbimit të Letrave me Vlerë të SHBA-së/SEC është i krahasueshëm me Standardet e reja dhe të rishikuara të Raportimit të Auditorëve të BSNAS-së të cilat kërkojnë komunikim të çështjeve kyçe të auditimit në raportet e auditimit të një liste të entiteteve, e të cilat kanë hyrë në fuqi për auditimet e fundvitit të dhjetorit të vitit 2016.

"Miratimi nga PCAOB i standardit për përmirësimin e raporteve të auditimit është një hap i rëndësishëm përpara në dhënien e informacioneve të dobishme dhe relevante për investitorët dhe përdoruesit e tjerë", theksoi Prof. Arnold Schilder, Kryetar i BSNAS-së. "Raportet e auditimit nuk janë më raporte ‘klishe’ - auditorët tash janë duke dhënë informacione shtesë rreth auditimit, gjë që është vlerësuar lart nga përdoruesit. Ne jemi veçanërisht të kënaqur që kërkesat e PCAOB-së janë të krahasueshme me ato të BSNAS-së. Koordinimi i standardvënësve është i rëndësishëm drejt përpjekjeve për standarde të auditimit që janë, në parim, globalisht konsistente.”

Dy publikimet e reja që e bëjnë krahasimin në mes të standardeve të BSNAS-së dhe të PCAOB-së janë zhvilluar nga Grupi Punues për Zbatimin e Raporteve të Auditimit të BSNAS-së. Këto publikime do t’u ndihmojnë përdoruesve për t’i kuptuar ngjashmëritë dhe dallimet kyçe në mes të kërkesave të BSNAS-së dhe atyre të PCAOB-së. Informacione shtesë mbi standardet e reaj dhe të rishikuara të BSNAS-së, të raportimit të auditorëve, si dhe materiale tjera mbështetëse, gjenden online këtu.

Për BSNAS-në 
BSNAS zhvillon standarde dhe udhëzime të auditimit dhe sigurisë për nevojat e të gjithë kontabilistëve dhe auditorëve në një proces të përbashkët të vënies së standardeve me Bordin Mbikqyrës të Interesit Publik, i cili i mbikëqyrë aktivitetet e BSNAS-së dhe Grupin Këshilldhënës të BSNAS-së, i cili jep e kontributin e vet në zhvillimin e standardeve dhe udhëzimeve, në favor të interesit publik. Strukturat dhe proceset që e mbështesin anën operative të BSNAS-së ndihmohen nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (FNK).