ShKÇAK lanson programin çertifikues Ekspert i Licensuar i Forenzikës Financiare, mbështetur nga UNDP dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe programi DANIDA i Qeverisë së Danimarkës

2017-10-27 - 10:20

Sot, filluan ligjëratat e programit më të ri çertifikues të ShKÇAK-së, Ekspert i Licensuar i Forenzikës Financiare, mbështetur nga UNDP dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe programi DANIDA i Qeverisë së Danimarkës.  Me këtë rast u mbajt ceremonia solemne e lansimit të këtij programi ku para kandidatëve mbajtën fjalë rasti, Znj. Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive e ShKÇAK-së, Z. Patrick Etienne, Drejtor, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Z. Andrew Russell, Koordinator për Zhvillim i KB-së /Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së, si dhe Z. Riza Shillova, Drejtor i Hetimeve, Policia e Kosovës, të cilët folën për rëndësinë e këtij programi në luftën kundër korrupsionit, si mënyra e vetme për rritjen e stabilitetit, ngritjen e besimit të publikut në institucionet publike dhe politike të vendit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.  Ata poashtu e përgëzuan ShKÇAK-në dhe UNDP-në për punën e tyre në krijimin e këtij programi shumë të rëndësishëm në shërbim të interesit publik dhe i uruan kandidatët për këtë ndërmarrje në ngritjen profesionale të tyre, si dhe e theksuan përgjegjësinë e madhe që do ta kenë Ekspertët e Licensuar të Forenzikës Financiare në hetimet kundër korrupsionit në vend.

Programi për Ekspert të Licensuar të Forenzikës Financiare është zhvilluar nga ShKÇAK dhe UNDP me qëllim të sigurimit të ekspertëvë të licensuar  duke i pajisur me njohuri, aftësitë dhe ekspertizën e duhur që rezultojnë të jenë thelbësore për luftimin e korrupsionit si parakusht për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.

Ekspertët e Licensuar të Forenzikës Financiare do t’i përshpejtonin në masë të madhe hetimet dhe do ta siguronin një numër më të madh të aktakuzave të rasteve të korrupsionit dhe krimeve financiare.

Grupi i parë i kandidatëve të këtij programi përbëhet nga pesëdhjetë zyrtarë të policisë, hetuesisë, zyrtarë ligjorë, zyrtarë tatimorë etj., që janë të përfshirë në aktivitetet antikorrupsion. Qëllimi është që pas trajnimit dhe çertifikimit të tyre, Ekspertët e Licencuar të Forenzikës Financiare të mund të ofrojnë shërbime në kuadër të hetimeve të krimeve financiare dhe në këtë mënyrë të bëhet ngritja e kapaciteteve të resurseve vendore në parandalimin dhe hetimin e krimeve financiare.

Pas ceremonisë së lansimit të programit, u mbajt një koktej rasti, pas të cilit kandidatët e filluan ligjëratën e pare të trajnimit.